Trajneri i kampionit të Kosovës, FC Dritës, Zekirija Ramadani, ka reaguar me ironi ndaj deklaratave të pronarit të FCSB-së, Gigi Becali, i cili pak ditë para përballjes në Ligën e Evropës kishte thënë se “nuk ka ekip më të dobët se Drita” dhe se do të largohej nga futbolli në rast se skuadra e tij eliminohej.
Ramadani foli me tone të matura në konferencë për shtyp para ndeshjes me FCSB, por kishte një mesazh të qartë për rivalin. Deklaratat e tij janë përcjell me interes të madh nga mediat rumune, ku Sport.ro, ka nxjerr disa prej tyre.
“E konsideroj trajnerin e FCSB-së një koleg dhe deklarata e tij është shumë profesionale”, tha Ramadani me një ironi të lehtë sipas këtij mediumi.
Por trajneri shkupjan, u ndal te deklaratat e presidentit të FCSB, Gigi Becali, i cili e konsideroi Dritën të dobët dhe nëse humbet, do të largohet nga futbolli.
“Ne, si trajnerë, nuk mund të themi se e lëmë punën nëse humbasim, nuk jemi biznesmenë. Nëse ata kanë pasuri të madhe, biznesmenët mund të largohen nga futbolli kur të duan”, deklaroi Ramadani për Becalin.
“Kam luajtur këtu 24 vjet më parë, e njoh atmosferën”
Trajneri i Dritës kujtoi edhe një moment personal nga karriera si futbollist, duke theksuar se ky nuk është takimi i tij i parë me një atmosferë si ajo e Bukureshtit.
“Isha këtu para 24 vitesh, kur luaja për Sloga Jugomagnat kundër Steauas. E njoh atmosferën, e di çfarë ndodhi në stadium. U thashë lojtarëve çfarë të prisnin”, deklaroi trajneri kampion.
Ramadani u shpreh se skuadra e tij është përgatitur për versionin më të mirë të FCSB-së, pavarësisht krizës që përflitet në klubin rumun.
“Nuk u përgatitëm për një ekip në krizë, por për FCSB-në më të mirë”, nënvizoi Ramadani.
Në përgatitje për ndeshjen e parë që zhvillohet të enjten në ora 2o:30 në “National Arena” të Bukureshtit, Ramadani, tregoi se mungesa e një lojtari rumun, e bën të lumtur. Bëhet fjalë për Florin Tanese, i cili u skuq ndaj Shkëndijës dhe u dënua me dy ndeshje.
“Sa me fat që numri 10 nuk do të luajë kundër nesh. E kam parë edhe në ndeshjen ndaj Dinamos”, përfundoi Ramadani.