Drita reagon ashpër ndaj FFK-së për mosshtyrjen e ndeshjes me Ferizajn

FC Drita
FC Drita

Pas përballjes me FCSB në kuadër të garave evropiane, zyrtarë të Dritës ishin të indinjuar ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për shkak të refuzimit të kërkesës për shtyrjen e ndeshjes së javës së parë të Superligës ndaj Ferizajit.

Përmes zyrtarëve të saj te Kërlaçki, Drita ka shprehur pakënaqësi të madhe, duke theksuar se kërkesa për shtyrje ishte bërë në mënyrë zyrtare për shkak të angazhimeve ndërkombëtare. Sidoqoftë, FFK-ja jo vetëm që nuk ka ofruar ndonjë përgjigje zyrtare, por ka vendosur ta zhvendosë ndeshjen për të hënën, më 18 gusht – një vendim që është cilësuar si ironik nga klubi gjilanas.

Trajneri dhe zyrtarë të klubit janë shprehur të revoltuar për mospërfilljen e kërkesës së tyre, duke theksuar se nëse FFK-ja nuk është në gjendje të caktojë një orar të ri, atëherë ndeshja duhet të zhvillohet në terminin fillestar, të dielën, pasi ekipi ka vetëm një ditë në dispozicion për t’u përgatitur dhe për të udhëtuar drejt Luksemburgut për ndeshjen e radhës evropiane.

Ndeshja e parë e play-offit ndërmjet Dritës dhe Differdange zhvillohet pas një jave më 21 gusht në “Fadil Vokrri”.