
Mirlind Daku vazhdon të jetë një prej figurave kryesore në elitën e futbollit rus.
Të shtunën, sulmuesi kosovar shënoi dy gola në barazimin 2:2 të Rubin Kazanit në udhëtim ndaj Orenburgut, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë të kampionatit.
Daku kishte katër ndeshje pa gol – dy në kampionat dhe dy në Kupë – ndërsa realizimi i fundit i tij datonte më 9 gusht kundër CSKA Moskës. Më herët, në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, ai kishte gjetur rrjetën në katër ndeshje radhazi. Me dygolëshin e së shtunës, sulmuesi rikthehet sërish në formën më të mirë.
Aktualisht, reprezentuesi i Shqipërisë numëron gjashtë gola në shtatë paraqitje kampionale, ndërsa ka edhe një gol në tri ndeshje të Kupës së Rusisë.
Për Dakun, ndeshja e fundit kishte një emocion të veçantë personal. “Sot ishte një ndeshje e vështirë për mua. Dje e humba gjyshin dhe ishte shumë e rëndë. Dua t’ia kushtoj këto gola atij. Pushoftë në paqe”, u shpreh ai për Match TV.
Ai shtoi se kishte pasur një lidhje shumë të fortë me të ndjerin. “Të gjithë e dimë që jeta nuk është e përhershme. Por gjëja më e rëndësishme për mua është ta mbaj gjithmonë në kujtesë dhe të bëj gjëra të mira në nder të tij”, deklaroi Daku.
Посвятил два гола своему дедушке… 🙏🏻🕊️ pic.twitter.com/1igOMuS8k3
— «Рубин» Казань (@fcrk) August 30, 2025
Edhe pse gjatë verës u përfol shumë për një largim të tij nga Rubin Kazani – madje u lidh edhe me Fiorentinën – Daku vendosi të rinovojë kontratën me kushte dukshëm më të mira financiare. Sidoqoftë, ai pritet të mbetet pjesë e klubit rus edhe këtë sezon.
Në skuadër me të aktivizohen edhe Veldin Hoxha, pjesë e Kosovës nga tubimi që vjen, si dhe Dardan Shabanhaxhaj. Për këtë të fundit, trajneri Rakhimov tha se luajti kundër Orenburgut edhe pse ishte i sëmurë. Shabanhaxhaj dhe Daku janë aktualisht sulmuesit e vetëm natyralë në ekip.