
Pas një periudhe të kaluar në Gjermani, ish-kapiteni i Llapit, Bujar Idrizi, është rikthyer në Kosovë dhe i është bashkuar sërish skuadrës nga Podujeva, mëson ekskluzivisht “Kërlaçki”.
Qendërmbrojtësi 33-vjeçar i është bashkuar ekipit të Tahir Batatinës tashmë prej dy ditësh dhe do ta vazhdojë pjesën tjetër të karrierës te klubi ku u rrit si futbollist dhe ku ka shkruar historinë e tij më të madhe si profesionist.
Idrizi ka qenë një nga figurat kryesore të Llapit gjatë shtatë viteve të kaluara në klub, duke bartur edhe shiritin e kapitenit dhe duke qenë pjesë e sukseseve dhe zhvillimit të ekipit në Superligë.
Përveç Llapit, ai ka mbrojtur ngjyrat e klubeve të tjera si KF Hysi, Trepça, Trepça ’89 dhe Kukësi në Shqipëri – ku ka fituar përvojë të rëndësishme në nivele të larta të futbollit.
Rikthimi i tij shihet si një përforcim i madh për Llapin jo vetëm në fushë, por edhe për lidershipin dhe përvojën që sjell në dhomën e zhveshjes, në një sezon ku llapjanët kanë ambicie të qarta për të qenë protagonistë në Superligë.
