E larguan në moshën 13-vjeçare – tani e rikthejnë për 78 milionë euro

Eberechi Eze
Eberechi Eze

Eberechi Eze (27 vjeç) është zyrtarisht përforcimi më i ri i Arsenalit, pasi ka kompletuar transferimin nga Crystal Palace për një shumë totale prej 78 milionë eurosh (70 milionë garanci + 8 milionë bonuse). Ky lëvizje ndodhi në ditët e fundit të merkatos, duke përmbysur pritshmëritë që e lidhin mesfushorin me Tottenhamin. Pas dëmtimit të Kai Havertz, drejtuesit e Arsenalit përshpejtuan bisedimet dhe mbyllën marrëveshjen, përcjellë Kërlaçki.

Eze ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me “Topçinjtë”, me opsion për një sezon shtesë, ndërsa do të mbajë fanellën me numrin 10, të cilën në të kaluarën e kanë veshur legjenda si Dennis Bergkamp dhe Mesut Özil.

Anëtari i përfaqësueses angleze ishte një nga pikat kyçe të Crystal Palace sezonin e kaluar, duke realizuar edhe golin vendimtar në finalen e FA Cup ndaj Manchester Cityt. Ai pritet të shtojë kreativitet dhe thellësi në fazën sulmuese të skuadrës së Mikel Artetës.

Rikthim simbolik në shtëpinë e parë

Drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, theksoi se Eze ka qenë objektiv prioritar gjatë gjithë verës dhe se marrëveshja u finalizua falë bashkëpunimit të të gjitha strukturave të klubit. Trajneri Arteta vlerësoi shumë aftësitë e Eze për të luajtur në disa pozicione, përvojën ndërkombëtare dhe karakterin prej lideri.

Mesfushori i ri u prezantua zyrtarisht para tifozëve të Arsenalit në ndeshjen ndaj Leeds United, ndërsa debutimi i tij mund të vijë më 31 gusht në sfidën ndaj Liverpoolit.

Eze është rritur në akademinë e Arsenalit, por ishte larguar në moshën 13-vjeçare pasi nuk u konsiderua me potencial të mjaftueshëm. “Është ëndërr që bëhet realitet. Jam shumë i lumtur që po rikthehem aty ku gjithçka nisi për mua”, – tha ai për faqen zyrtare të klubit.

Në katër sezone me Crystal Palace, Eze ka grumbulluar 169 ndeshje, duke shënuar 40 gola dhe dhënë 28 asistime.