Kalo te përmbajtja
Sunday, 14 June 2026
Kombëtaret

Edhe mediumi serb B92 jehon për Kosovën

Mediumi serb B92, dikur i njohur për qasjen e tij të pavarur dhe liberale, pas ardhjes së Aleksandar Vuçiqit në pushtet, është shndërruar në një zë pro-regjimit. Megjithatë, në një zhvillim të papritur, ky medium i ka dhënë jehonë lajmit për suksesin e mundshëm historik të Kombëtares së Kosovës në futboll. Më poshtë, përkthimi i plotë i artikullit të publikuar nga B92:

“Kosovarët ëndërrojnë Botërorin – ndeshja në Lubjanë më e rëndësishmja në histori”

Përfaqësuesja e futbollit e “ashtuquajturës” shtet Kosovë ndodhet pranë arritjes më të madhe në historinë e saj – kualifikimit në fazën play-off për Kupën e Botës.

Kosova, dy ndeshje para fundit të kualifikimeve, gjendet në vendin e dytë në Grupin B, përpara ndeshjes vendimtare me rivalin e drejtpërdrejtë për këtë pozitë, Slloveninë. Ekipi i trajnerit Franco Foda ka tre pikë më shumë se kundërshtari dhe i mjafton vetëm një pikë për të siguruar matematikisht vendin në play-off.

Sllovenia dhe Kosova do të përballen të shtunën në Lubjanë në orën 20:45.

Të dy kombëtaret barazuan pa gola në ndeshjen e parë në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Aty, Kosova hodhi një hap të madh drejt synimit final, ndërsa tani përballen me një tjetër sfidë të madhe dhe mundësi për të shkruar historinë.

“Atmosfera është shumë e mirë, jemi të gatshëm”, deklaroi mbrojtësi Albian Hajdari përpara nisjes drejt Sllovenisë.

Kujtojmë se Kosova ka arritur fitore të rëndësishme ndaj Suedisë – brenda dhe jashtë fushe – duke e eliminuar përfaqësuesen skandinave nga gara, ndërsa tani përballë ka vetëm Slloveninë si pengesë. Zvicra, në krye të grupit, mbetet e paarritshme.

“Trajneri na ka motivuar mirë, e dimë që na pret një ndeshje e vështirë, por jemi të përgatitur dhe do të jemi gati ditën e ndeshjes”, shtoi Hajdari.

Pa dyshim, ndeshja në Lubjanë është më e rëndësishmja që nga pjesëmarrja e Kosovës në ciklet kualifikuese për garat më të mëdha ndërkombëtare. Një fitore ose barazim i siguron Kosovës vendin në play-off. Edhe në rast humbjeje, shpresa mbetet gjallë, pasi ndeshja e fundit do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, ndaj Zvicrës, që ndoshta nuk do të ketë më motiv për rezultat.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Zvicra do të luajë si mysafire ndaj Suedisë – zhgënjimi më i madh i këtij grupi – që deri më tani ka grumbulluar vetëm një pikë.