
Edi Martini është rikthyer në krye të Vllaznisë, klubi me të cilin nisi karrierën dhe ku sot synon të ringjallë ëndrrat europiane të tifozëve shkodranë. Me një karrierë të gjatë si lojtar dhe trajner, Martini mbetet një figurë qendrore në futbollin shqiptar, i njohur për seriozitetin, disiplinën dhe rezultatet e qëndrueshme në pankinë, shkruan Kërlaçki.
I lindur më 2 janar 1975 në Shkodër, Edi Martini u formua si futbollist në Vllazni, ku spikati si mesfushor ofensiv. Në vetëm dy sezone të para arriti të shënojë 22 gola në 41 ndeshje, çka i dha mundësinë të transferohej jashtë vendit. Ai luajti për NK Slavija Vevçe në Slloveni, SAK Klagenfurt në Austri dhe më pas për Eintracht Frankfurt në Gjermani në sezonin 1997–1998, ku regjistroi një paraqitje në “Zweite Bundesliga”, gjatë një sezoni kur klubi u ngjit në elitën e futbollit gjerman. Pas kthimit në Shqipëri, veshi sërish fanellën e Vllaznisë dhe më pas luajti për Luftëtarin, Besëlidhjen dhe në fund për Apoloninë, ku përmbylli karrierën në vitin 2006.
Ndërsa ishte pjesë e Flamurtarit të Prishtinës, Edi Martini kontribuoi në një nga periudhat më të arta të klubit pas luftës. Flamurtari përfundoi edhe në fazën play-off, duke vulosur një sezon të paharrueshëm për klubin prishtinas. Nga janari i vitit 2005 deri në fund të atij sezoni, skuadra kuqezi arriti një nga sukseset më të mëdha në historinë e saj, duke u renditur në vendin e 3-të dhe duke përfunduar kampionatin vetëm 8 pikë larg titullit, i cili u fitua nga Besa e Pejës.
Martini, në stinorin pranveror të edicionit të sapo përfunduar, 2024/25 kishte udhëhequr Trepçën në Ligën e parë, por megjithë dështoi të inkuadrohej në Superligë, ndërsa shpejtë në radhët e “xehtarëve” u rikthye trajneri mëmparshëm, Emin Baliqi.

Në arenën ndërkombëtare, Martini ka dy paraqitje me Kombëtaren shqiptare, të dyja të zhvilluara në vitet 1994–1995, përballë Maqedonisë dhe Maltës. Pas tërheqjes si futbollist, ai iu përkushtua menjëherë karrierës si trajner. Debutimi i tij si trajner erdhi në dhjetor 2009 pikërisht me Vllazninë, duke përfunduar sezonin si nënkampion dhe finalist i Kupës së Shqipërisë. Më pas, do të drejtonte disa skuadra në elitën shqiptare, përfshirë Teutën, ku arriti kulmin e suksesit të tij si trajner: titull kampion në sezonin 2020–2021, Kupën e Shqipërisë në 2019–2020 dhe Superkupën në po atë vit. Statistikat e karrierës së tij si trajner janë të qëndrueshme: 245 ndeshje, 99 fitore, 68 barazime dhe 78 humbje, me një mesatare prej 1.49 pikësh për ndeshje.
Në vitin 2025, Martini u rikthye në krye të Vllaznisë. Skuadra, nën drejtimin e tij, ka arritur të kalojë me sukses një tur kualifikues në Ligën e Konferencës. Ky rezultat i jep shpresë klubit dhe tifozëve për një ecuri pozitive në garat europiane. Martini ka ndërtuar një skuadër të fortë fizikisht dhe të organizuar në çdo repart. Edhe pse përballet me disa mungesa, Martini është shprehur se grupi është gati për sfida të rëndësishme, përfshirë ndeshjen kundër ekipit islandez Vikingur në ndeshjen kthyese (2-1).