
Java e katërt e Abissnet Superiores solli dy përballje të forta: Egnatia triumfoi 2-0 ndaj Tiranës falë golave të Buriç (28′) dhe Albanese (48′), ndërsa Elbasani i Ivan Gvozdenoviç vazhdoi marshimin si lider duke mposhtur Partizanin 1-0 në “Arenën e Demave”, me golin vendimtar të Bunjakut në minutën e 36-të. Verdheblutë kryesojnë kampionatin me 10 pikë pas katër javësh, ndërsa bardheblutë e Tiranës mbeten pa fitore në këtë start sezoni.
Në Rrogozhinë, Egnatia ka triumfuar 2-0 ndaj Tiranës në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të Abissnet Superiores. Skuadra vendase dominoi gjatë gjithë takimit dhe arriti të shënonte me Buriç në minutën e 28-të dhe Albanese në minutën e 48-të. Tirana e kishte të vështirë të kthehej në lojë dhe në minutën e 86-të mbeti me një lojtar më pak, pasi Marku u ndëshkua me karton të kuq për faull ndaj Grudës.
Ndeshja u shoqërua edhe me episode të shumta: një gol i anuluar për pozicion jashtë loje për Egnatian në pjesën e parë, disa raste të pastra të shpërdoruara nga vendasit, si dhe një ndërprerje prej shtatë minutash në pjesën e dytë për shkak të tymit të ndezur në tribunën e tifozëve miq. Pavarësisht përpjekjeve, Tirana nuk arriti të shmangte humbjen, duke mbetur pa fitore në këtë start sezoni, ndërsa Egnatia rikthehet te fitorja dhe te shpresat për të qenë mes skuadrave pretendente.
Egnatia 2-0 Tirana (Buriç 28′, Albanese 48′)
Elbasani vazhdon marshimin, rrëzon Partizanin në “Arenën e Demave”
Elbasani i drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç po ecën me hap të sigurt në krye të Abissnet Superiores. Verdheblutë arritën një fitore me peshë 0-1 ndaj Partizanit në “Arenën e Demave”, duke e çuar kuotën e pikëve në 10 pas katër javësh dhe duke konsoliduar pozitat në krye të tabelës.
Sfida u vendos nga Bunjaku në minutën e 36-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur me asist të Kristi Qoses. Miqtë kishin mundësi të dyfishonin shifrat me Abas në pjesën e dytë, por ndërhyrjet e portierit Alban Hoxha mbajtën gjallë shpresat e të kuqve. Megjithatë, gjithçka u komplikua për Partizanin në minutën e 59-të, kur Bytyçi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.
Në minutat e fundit, Partizani tentoi të barazonte me Da Silvën dhe Garsian, por mbrojtja e Elbasanit dhe portieri Janaçek rezistuan deri në fund, duke i dhuruar ekipit të Gvozdenoviç një tjetër fitore me aromë kampioni.
Elbasani 1-0 Partizani (Bunjaku 36′)