
Klubi suharekas Ballkani, që vetëm tri sezone më parë bënte histori duke luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, këtë vit u eliminua në raundin e tretë të këtij kompeticioni. Pas humbjes 4-0 në ndeshjen e dytë në Dublin ndaj Shamrock Rovers, fitorja 1-0 në Prishtinë nuk mjaftoi në revansh.
Ballkani shfaqi një fytyrë të ndryshme në ndeshjen e kthimit, me dominim të qartë në lojë dhe krijim të rasteve të shumta, por konkretizimi mungoi. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse gabimi më i madh ishte pikërisht në ndeshjen e parë.
Pavarësisht faktit që Shamrock Rovers teknikisht nuk konsiderohet një ekip më cilësor se Ballkani, rezultati përfundimtar është ai që mbetet në histori – dhe ai flet qartë për eliminim.
Pas kësaj disfate, tifozët suharekas kanë shpërthyer me komente të ashpra në rrjetet sociale. Në faqen zyrtare të klubit në Facebook, shumë prej tyre kanë kritikuar ashpër lojtarët dhe stafin teknik, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme. Disa nga komentet më të përfolura përfshijnë:
“Me Potokun edhe Jashanicën veç te Rozi mundeni me u përqendru.”
“Veç a jeni tu e pa çka po ban Ilir Daja me Dinamon e Tiranës? Me këtë trajner, me Potokun e Jashanicën, ju çon prej shpije. Turp e faqe e zezë me u mund 4-0 nga këta amatorë.”
“Kurrsesi s’mujtën me jau dhënë golin e pestë. BRAVO ju qoftë!”
“S’keni gjak, s’keni karakter. Largime të menjëhershme për Orges Shehin, Jashanicën, Potokun dhe djalin e atletikës, Hamidi.”
“Vërehet qartë puna dhe profesionalizmi i trajnerit Ilir Daja kur ishte pjesë e Ballkanit. Mësim për trajnerët e Kosovës.”
“Çfarë mbrojtjeje amatoreske, turp. Po luani si skuadër shkollore, vetë po ia jepni golat vetes. Nuk jeni për këso gara, me mbrojtës pleq.”
“Kam shpresu shumë, po jemi mësuar me dështime!”
“Ilir Daja na dha një leksion – edhe për 200 vjet nuk mund t’i mundim këta.”
Këto reagime tregojnë zhgënjimin e thellë të tifozëve, të cilët pritnin më shumë nga një skuadër që kohët e fundit ka qenë një ndër krenaritë e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.