Erbim Fagu firmos me ADO Den Haag U-19, hap i madh në karrierën e trajnerit shqiptar

Erbim Fagu
Erbim Fagu

Ish-trajneri i Tiranës, Erbim Fagu, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke firmosur si trajner i ekipit U-19 të klubit prestigjioz holandez ADO Den Haag. Marrëveshja u bë zyrtare më 1 korrik 2025, vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit, ku skuadra do të debutojë ndaj Ajax-it, shkruan Procesi Sportiv, përcjellë Kërlaçki.

Nga futbollist te Skënderbeu deri te Kombëtarja

I lindur më 15 prill 1987 në Tiranë, Fagu ka qenë një mbrojtës i njohur që u formua në akademinë e KF Tirana, për të vazhduar më pas karrierën te Dinamo, Elbasani, Besa dhe Skënderbeu, me të cilin fitoi katër tituj kampion radhazi (2011–2014). Ai përfaqësoi Shqipërinë në Kombëtaret e moshave U17, U19 dhe U21, ndërsa në vitin 2012 u përfshi në listën e Kombëtares për ndeshjet miqësore ndaj Katarit dhe Iranit.

Megjithatë, në moshën 27-vjeçare ai u detyrua të mbyllte karrierën si lojtar për shkak të problemeve fizike, duke lënë pas disa trofe të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

Nga akademitë shqiptare te Holanda

Pas pensionimit, Fagu iu përkushtua menjëherë karrierës së trajnerit. Fillimisht punoi me Akademinë e Futbollit dhe më pas me Football Republic të Redi Jupit, ku fitoi disa tituj kombëtarë në nivelet U-15, U-17 dhe U-19.

Në vitin 2021, ai u bashkua me KF Tiranën, si ndihmës trajner i ekipit të parë dhe trajner i U-21, duke kontribuar në fitimin e titullit kampion. Më pas, karriera e tij mori drejtim ndërkombëtar, fillimisht në Holandë me Coerver Coaching Netherlands dhe më pas si trajner i RKVV DEM U-14.

Në sezonin e fundit, Fagu u rikthye te Tirana si trajner i parë, ku arriti të shpëtojë ekipin nga rënia dhe të sigurojë kualifikimin në Europa Conference League.

Hapi i radhës: ADO Den Haag

Fagu ka marrë drejtimin e ADO Den Haag U-19, duke u bërë pjesë e sistemit të një klubi me histori të gjatë dhe traditë në zhvillimin e talenteve. Ky është një hap i madh për trajnerin shqiptar.

Den Haag është klub që ka prodhuar futbollistë të mëdhenj si Nathan Aké dhe Joshua Zirkzee, ndërsa në merkaton e fundit shiti talentin 18-vjeçar Cheyevo Mul te Milani. Në historinë e tij kanë drejtuar edhe trajnerë të njohur si Dick Advocaat, duke e bërë ambientin ideal për rritjen e Fagut si trajner.

Ky emërim e vendos Erbim Fagun në një tjetër nivel profesional, duke e afruar me elitën e futbollit evropian dhe duke hapur horizonte të reja për trajnerët shqiptarë në arenën ndërkombëtare.