
Përfaqësueset që shkëlqyen në Eurobasket 2025 nuk e kanë parë suksesin e tyre të shpërblyer në mënyrë të ndjeshme në aspektin financiar. Në dallim nga garat e nivelit më të lartë si NBA, Euroliga apo turnetë e FIFA-s, Eurobasket mbetet një ngjarje me shpërblime modeste, pavarësisht peshës së saj sportive dhe historike.
Sipas analizës së publikuar nga portali essentiallysports.com, përcjellë KËRLAÇKI, kampioni evropian pritet të përfitojë një shumë pak mbi 1 milion euro, ndërsa nënkampioni mund të marrë 500.000 deri në 800.000 euro. Ekipi që e mbyll turneun në vendin e tretë shpërblehet me 400.000 deri në 600.000 euro, ndërsa ato që arrijnë çerekfinalen përfitojnë 100.000 – 300.000 euro.
Për ekipet që eliminohen në fazën e grupeve, fitimi mund të jetë minimal – nga 50.000 deri në 100.000 euro – çka është shpesh më pak se vetë shpenzimet për përgatitjet.
Mungesa e një fondi të strukturuar të shpërblimeve është ndër dallimet kryesore të Eurobasket-it krahasuar me ligat elitare të basketbollit e sidomos mos të flasim për futbollin. Në këtë turne nuk ka bonuse direkte për lojtarët; shpërblimet kanalizohen përmes federatave kombëtare, të cilat vendosin si t’i shpërndajnë ato.
Këto fonde shërbejnë më tepër për mbulim të shpenzimeve logjistike, përkrahje zhvillimore dhe ndonjëherë për pjesëmarrje në turne të ardhshëm. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e “vlerës” që fitohet në një Eurobasket mbetet në përvojën sportive, ekspozimin ndërkombëtar dhe ngritjen e imazhit të kombëtares.
Ndryshe nga modelet si NBA ose FIFA apo UEFA, ku struktura e shpërblimeve rritet në mënyrë progresive në çdo fazë, Eurobasket mbetet një garë me vlera më të mëdha simbolike sesa materiale.
Krahasimet
Në EuroBasket 2025, shpërblimi kryesor është rreth 1 milion euro, i cili i shkon federatës fituese. Nuk ekziston një fond i centralizuar për shpërblime – gjithçka menaxhohet përmes federatave kombëtare.
Në EuroLeague, kampioni përfiton 1.8 milion euro, nga një fond total rreth 11.6 milion euro, dhe shpërblimet i marrin klubet.
Në NBA Playoffs 2025, kampioni shpërblehet me 12.4 milion dollarë, ndërsa fondi total i shpërblimeve është 34.7 milion dollarë. Këto para shpërndahen direkt te lojtarët.
Në FIFA Club World Cup, shpërblimi për kampionin arrin në 40 milion dollarë, nga një fond total prej 1 miliard dollarësh, dhe përfitues janë klubet pjesëmarrëse.