
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shpallur zyrtarisht hapjen e aplikimeve për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin garues 2025/26.
Nga ky institucion bëjnë të ditur se ky proces zhvillohet në përputhje me Rregulloren për Licencim dhe Garim dhe përfshin pesë kritere bazë që çdo klub duhet t’i plotësojë: sportiv, financiar, ligjor, etik dhe disiplinor, administrativ dhe i personelit, si dhe infrastrukturor. Për secilën kategori licence (A, B, C apo D) janë përcaktuar kërkesa të detajuara që klubet duhet t’i dokumentojnë, ka theskuar AsistOnline, përcjellë Kërlaçki.
Një nga ndryshimet kryesore për këtë edicion është obligimi që klubet e Superligës së Meshkujve të ndajnë minimum 10% të buxhetit vjetor për zhvillimin e gjeneratave të reja. Po ashtu, ato duhet të dorëzojnë një program vjetor trajnimi për grupmoshat U10 deri në U18, në përputhje me udhëzimet e FBK-së.
Një tjetër risi e rëndësishme është zbatimi i politikave për mbrojtjen e fëmijëve. Klubet janë të obliguara të emërojnë një person përgjegjës për këtë fushë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e tij në trajnimet përkatëse, sipas politikave të miratuara nga FBK.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të licencimit është 4 shtator 2025, dhe të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në format fizik në zyrat e FBK-së.
Urojmë dhe shpresojmë që klubet t’u përmbahen plotësisht këtyre kushteve, ndërsa FBK të tregojë rigorozitet të lartë në zbatimin e tyre, pasi në letër ato duken shumë pozitive.