FC Dinamo U19 po dominon garën e juniorëve në Ligën e Parë

Dinamo Ferizaj U19
Dinamo Ferizaj U19

Kategoria U19, e njohur si baza e zhvillimit të talenteve të rinj në futbollin kosovar, po ofron një sezon jashtëzakonisht rivalizues dhe cilësor – si në Superligën e Juniorëve, ashtu edhe në Ligën e Parë.

Megjithëse krijimi i Ligës U21 është parë nga shumë ekspertë si një lëvizje që ka dëmtuar strukturën natyrale të zhvillimit nëpër moshat e reja, duke zbehur rolin e kategorisë U19, kjo e fundit po dëshmon ende vitalitet dhe konkurrencë të fortë.

Në Superligë, FC Prishtina U19 po shfaq formë të jashtëzakonshme, duke regjistruar gjashtë fitore në po aq ndeshje, pa asnjë humbje apo barazim. Klubi nga kryeqyteti po synon të thyejë dominimin tradicional të ekipit të 2 Korrikut në këtë kategori duke i ikur tani plot 4 pikë.

Ndërkohë, në Ligën e Parë të Juniorëve, gara është po aq e zjarrtë. FC Dinamo U19, e udhëhequr nga trajneri Arlind Ajeti, ndodhet në vendin e parë pas pesë xhirove të para, me bilanc perfekt – pesë fitore në pesë ndeshje. Në këtë garë janë edhe ekipet si Malisheva, Top Football, por janë edhe Lira, Besa e Pejës.

“Është një kampionat shumë interesant këtë sezon, me gjithsej 12 ekipe pjesëmarrëse dhe të paktën 4-5 prej tyre që janë seriozisht në garë për inkuadrim në Superligën e Juniorëve të Kosovës,” – u shpreh trajneri Ajeti për redaksinë tonë.

Ngjashmëritë mes dy skuadrave janë të dukshme – si Prishtina, ashtu edhe Dinamo kanë ndërtuar ekipe të qëndrueshme, me grup lojtarësh të motivuar dhe në formë të lartë.

Përkushtimi dhe rezultatet pozitive të këtyre dy klubeve janë një sinjal i qartë se kategoria U19 vazhdon të mbetet një vatër e rëndësishme për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe të ardhmen e futbollit kosovar.