FC Prishtina do të përjetojë një “Tour de Evropa” të vërtetë me 7.000 km distancë!

fc prishtina në paris
FC Prishtina në Paris

Pas katër vitesh mungesë në arenën evropiane, Prishtina nuk pati fat me shortin. Përballjet e para e dhanë sinjalin e vështirësive: humbja në Moldavi ishte e rëndë, ndërsa fitorja “e Pirros” në “Fadil Vokrri” solli shpresë, por edhe pyetje. Jo vetëm kundërshtari, por mbi të gjitha rruga e gjatë e Conference League e zbehu entuziazmin e bardhekaltërve.

FC Prishtina ka dhënë një lajm rreth udhëtimit në Paris për viza, por në fakt, ekspedita e Prishtinës do të përjetojë një “Tour de Evropa” të vërtetë. Futbollistët do të kalojnë mbi 7.000 kilometra, Prishtinë – Belfast – Prishtinë!

Një destinacion i largët dhe barriera të shumta
Irlanda e Veriut, në skaj të Evropës Perëndimore, e veshur me regjimin e rreptë të vizave të Britanisë së Madhe, u bë sfida më e madhe për skuadrën fituese të Kupës së Kosovës. Për të mbërritur në Belfast, ekipi bardhekaltër u detyrua të kalojë një kalvar burokratik dhe një itinerar të pazakontë udhëtimi.

Rruga drejt Belfastit
Skuadra u nis dje dhe fillimisht aterroi në Gjenevë të Zvicrës. Prej andej, pas disa orësh udhëtim me autobus, mbërriti në Paris të Francës, ku u sistemua në hotel. Sot dhe nesër, lojtarët dhe stafi, të ndarë në grupe, po aplikojnë për viza në ambasadën britanike në kryeqytetin francez. Vetëm të mërkurën ata do të nisen për në Belfast, dhe pas mbërritjes në kryeqytetin e Irlandës së Veriut, i presin edhe 40 minuta të tjera udhëtim me autobus drejt qytetit portual Larne.

Një kthim si në filma
Nëse shkuarja ishte sfiduese, kthimi pritet të jetë edhe më i ngarkuar. Pas ndeshjes, skuadra do të kthehet në dy grupe, nga Belfast në Antalya të Turqisë, ku do të ribashkohen. Vetëm pas dy ditësh pushimi do të udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’u përgatitur për sfidën e kthimit. Krejt ky rrugëtim do të zgjatë hiq më pak se 7.000 kilometra!