Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është ndëshkuar nga FIFA me një gjobë prej 185 mijë eurosh për ngjarjet e shënuara gjatë ndeshjes së 7 qershorit kundër Serbisë, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Përballja, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, u mbyll pa gola.
Në raportin disiplinor të FIFA-s theksohet se ndëshkimi erdhi për shkak të ndërprerjes së himnit kombëtar serb nga tribuna, si dhe për shfaqjen e pankartave e mesazheve të papërshtatshme, të cilat konsiderohen në kundërshtim me frymën e “fair-play”-t dhe me standardet e një aktiviteti ndërkombëtar.
Përveç gjobës financiare, FIFA ka urdhëruar që në ndeshjen e ardhshme zyrtare të Shqipërisë në shtëpi, kapaciteti i stadiumit “Air Albania” – ose i çdo stadiumi tjetër ku kombëtarja do të luajë si vendase – të reduktohet me 20 për qind.
Vendimi për Shqipërinë është pjesë e një serie më të gjerë sanksionesh të vendosura nga FIFA ndaj disa federatave pas ndeshjeve të muajit qershor, me qëllim forcimin e disiplinës dhe respektimit të rregullave në kompeticionet ndërkombëtare.