KB Bashkimi ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në histori të klubit në arenën ndërkombëtare, duke mposhtur në udhëtim skuadrën franceze Dijon me rezultat 93:84, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në FIBA Europe Cup.
Në një përballje me ritëm të lartë dhe shumë emocione, skuadra prizrenase tregoi karakter dhe pjekuri taktike, duke arritur të përmbysë disavantazhin fillestar. Dijon e nisi më mirë sfidën, duke e fituar çerekun e parë 16:14, por Bashkimi reagoi fuqishëm në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 22:17. Loja vazhdoi me intensitet të lartë edhe në pjesën e dytë, ku prizrenasit dominuan me 29:24 në çerekun e tretë dhe 28:27 në të fundit, duke e mbyllur takimin me nëntë pikë epërsi.
Statistikat e ndeshjes flasin qartë për efikasitetin e Bashkimit. Skuadra kosovare realizoi 55.36% të hedhjeve nga fusha (31/56), duke përfshirë një përqindje të jashtëzakonshme në gjuajtjet për dy pikë – 70% (21/30). Nga vija e tre pikëve, Bashkimi ishte po aq efektiv me 10/26 (38.46%). Nga gjuajtjet e lira, prizrenasit realizuan 21 nga 29 tentativa (72.4%).
Në duele individuale, Isaiah Cousins ishte lideri i padiskutueshëm i Bashkimit me 20 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime. Palokaj kontribuoi gjithashtu me 20 pikë e 8 kërcime, ndërsa Lake realizoi 17 pikë me 100% saktësi në gjuajtje (6/6).
Nga ana tjetër, te Dijon u dallua Holston me 18 pikë dhe 8 asistime, por nuk arriti ta ndihmojë ekipin e tij për të shmangur humbjen.
Në aspektin e lojës ekipore, Bashkimi regjistroi 21 asistime kundrejt 15 të Dijonit, kishte 10 topa të vjedhur dhe bëri më pak gabime (11 turnovera ndaj 17 të vendasve). Të dy skuadrat ndanë barazisht kontrollin në kërcime me nga 26 secila.
Pas kësaj fitoreje, Bashkimi e mbyll fazën e grupeve me tri fitore dhe tri humbje – bilanc i njëjtë me Dijon – dhe mban gjallë shpresat për kualifikim në fazën e radhës, në varësi të renditjes së ekipeve të dyta më të mira.
Ky rezultat shënon një sukses të jashtëzakonshëm për portokallezinjtë në edicionin e tyre debutues në një garë të tillë evropiane, dhe një motivim të madh për vazhdimësinë e sezonit.