Kalo te përmbajtja
Montag, 3 August 2026
Futboll Vendi

Fitorja e madhe e Bylisit në Tiranë, Josa: E shfrytëzuam boshllëkun, Nuhiu: E mundëm vetën

Pas triumfit të merituar të Bylisit ndaj Tiranës me rezultat 2-0 në “Selman Stërmasi”, dy trajnerët, Mirel Josa dhe Ardian Nuhiu, dolën para mediave për të dhënë vlerësimet e tyre pas ndeshjes. Për Nuhiun kjo ishte sfida debutuese në stolin bardheblu, ndërsa Josa konfirmoi për të disatën herë se Bylisi po rritet në mënyrë të qëndrueshme.

Skuadra ballshiote dominoi takimin, me plot 16 tentativa për gol dhe kontroll të dukshëm të lojës.

Mirel Josa (trajner i Bylisit):
“Pikët janë gjëja kryesore që e qetësojnë një skuadër. Nuk ka më ndeshje jashtë apo brenda fushe – ato kohë kanë ndryshuar. Dua që këto pikë të mos na kthehen kundër në vazhdim.”

Duke analizuar lojën e kundërshtarit, Josa shtoi:
“Nuk e dinim si do të rreshtohej Tirana me trajnerin e ri, por vumë re boshllëk në krahun e majtë – mungonte një mbrojtës që të merrte pjesë në formacionin 5-3-2. E shfrytëzuam epërsinë numerike në atë zonë. Megjithatë, edhe ne patëm probleme, loja nuk na shkoi plotësisht siç kishim planifikuar.”

Josa

Ardian Nuhiu (trajner i Tiranës):
“Skuadra u përpoq të implementonte idetë që kemi punuar këto dy-tri ditë. Ndoshta në disa momente ia dolëm, por sot e mundëm vetveten. Ishin gabime individuale që u ndëshkuam.”

Nuhiu pranoi se e pret një punë e gjatë përpara:
“Kam shumë për të punuar me futbollistët. Ka cilësi në skuadër, por duhet shumë punë, sidomos në aspektin mental. Duhet të rikthejmë vetëbesimin dhe të kthehemi te fitoret.”

Me këtë rezultat, Bylisi merr një fitore të madhe në transfertë, ndërsa Tirana e re e Nuhiut nis me zhgënjim, por me sinjale të qarta se sfida e vërtetë sapo ka nisur.

Josa mposht Nuhiun në debutim