
FC Prishtina ka kryer një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv, duke prezantuar sulmuesin portugez Luis Mota si transferimin më të ri të skuadrës për sezonin e ardhshëm, ashtu siç raportoi ekskluzivisht mbrëmë “Kërlacki”.
21-vjeçari vjen nga FC Porto B, ndërsa më parë ka qenë edhe pjesë e Belenenses, dy prej emrave më të njohur në futbollin portugez.
Mota është një sulmues qendre me tipare klasike – teknik, i shpejtë dhe me ndjesi të theksuar për gol.
Prurja e tij shihet si një sinjal i qartë i ambicieve të klubit për ndërtimin e një skuadre konkurruese, jo vetëm në Superligën e Kosovës, por edhe në garat ndërkombëtare ku synimet janë gjithnjë më të larta.
Pas prezantimit zyrtar, vetë lojtari ka shprehur emocionet e para dhe bindjen për një rrugëtim të suksesshëm me fanellën bardhekaltër.
“Jam shumë i lumtur për këtë transferim dhe mundësinë që ta përfaqësoj një klub të madh si Prishtina. Falënderoj udhëheqësinë e klubit për besimin që ma kanë dhënë dhe jam i bindur që së bashku do të arrijmë suksese”, u shpreh Mota.
Lojtari është bashkuar me skuadrën dhe ka nisur stërvitjet me grupin, duke u vënë menjëherë në dispozicion të stafit teknik. Ai pritet të jetë një alternativë konkrete për gol në vijën e parë të sulmit.