Hansi Flick nuk i kurseu kritikat ndaj Federatës Spanjolle për mënyrën se si është trajtuar rasti i Lamine Yamal. Para ndeshjes me Valencian, trajneri i Barcelonës sqaroi situatën:
“Lamine nuk do të jetë i gatshëm për Valencian. Është për të ardhur keq, sepse u kthye nga kombëtarja me dhimbje dhe nuk është gati.”
Më pas shpërtheu me kritika të ashpra:
“Shkoi me shqetësime dhe u kthye me dhimbje. Në kombëtare i dhanë analgjezikë, e aktivizuan 79 minuta në ndeshjen e parë dhe 73 në të dytën. Kjo nuk është mënyra e duhur për t’u kujdesur për lojtarët. Spanja ka futbollistë të mëdhenj dhe duhet t’i mbrojë. Jam i trishtuar.”
Sa i përket komunikimit me trajnerin e Spanjës, Flick pranoi:
“Nuk kam folur drejtpërdrejt me të, vetëm i kam dërguar një mesazh. Unë nuk flas mirë spanjisht, ai nuk flet mirë anglisht. Është e qartë që komunikimi duhet të përmirësohet.”
Barcelona konfirmoi se problemi i Lamine Yamal lidhet me pubisin, ku është zbuluar një hematomë e fortë. Për pasojë, pjesëmarrja e tij ndaj Newcastle në debutimin e Champions League mbetet shumë e pasigurt, ndërsa në klub janë pesimistë për praninë e tij në transfertën angleze.