Franco Foda dhe Vedat Muriqi flasin para përballjes vendimtare: Detajet do të bëjnë diferencën, synojmë kualifikimin
Vonecho25
3 Min. Lesezeit
Në prag të ndeshjes Slloveni–Kosovë, e cila zhvillohet nesër në stadiumin “Stozhice” të Ljubljanës në orën 20:45, trajneri i Kosovës, Franco Foda, dhe sulmuesi Vedat Muriqi dolën në konferencë për shtyp për të folur mbi pritshmëritë nga ky duel jetik për kualifikimin.
Franco Foda: “Detajet do të vendosin fatin e ndeshjes”
Trajneri i Kosovës vlerësoi paraqitjet e mëparshme të të dy skuadrave dhe parashikoi një përballje të fortë e të ekuilibruar:
“Të dy ekipet zhvilluam një ndeshje të mirë në takimin e parë. Ishim të kujdesshëm dhe besoj se edhe këtë herë do të jenë detajet ato që do të bëjnë diferencën.”
Foda ndaloi edhe te rëndësia e Amir Rrahmanit për skuadrën:
“Amiri është një lojtar kyç për ne – kapiteni ynë dhe një figurë me shumë influencë. Ai sjell stabilitet në prapavijë dhe kompaktësi në mbrojtje. Ka zhvilluar tri ndeshje të mira me Napolin dhe presim që të japë maksimumin edhe nesër.”
Në lidhje me rrezikun që paraqet Sllovenia, Foda shtoi:
“Sheshko është një lojtar shumë i rëndësishëm për Slloveninë, ashtu si edhe Šporar e të tjerë. Por siç e thashë më herët, ndeshja do të vendoset nga detajet.”
Tekniku i Kosovës theksoi se përgatitja për këtë përballje ka qenë intensive:
“E kemi analizuar Slloveninë për një kohë të gjatë, jo vetëm në ndeshjen e parë, por edhe në përballje të tjera. Ata kanë kualitet, por ne jemi të bindur se me angazhim dhe disiplinë mund të arrijmë rezultatin që kërkojmë.”
Për Eden Zhegrovën, ai u shpreh:
“Do të shohim gjendjen e Zhegrovës. Ka pasur rreth 30 minuta me Juventusin dhe do të vendosim sipas nevojave të skuadrës.”
Vedat Muriqi: “Sllovenia s’ka zgjidhje tjetër veç fitores, por ne do të luftojmë për kualifikim”
Sulmuesi i Kosovës, i cili ka qenë vendimtar në të kaluarën kundër Sllovenisë, vlerësoi rëndësinë e ndeshjes:
“Mendoj se kjo do të jetë edhe më e vështirë se ajo që zhvilluam në Prishtinë, sepse Sllovenia nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Ne vijmë si kryesues të grupit dhe do të përpiqemi të sigurojmë ‘play-off’-in. Varet pastaj edhe nga rezultati i Zvicrës.”
Ai përmendi edhe mbështetjen e tifozëve:
“Kam dëgjuar që do të ketë shumë tifozë tanë në stadium. Ata do të na sulmojnë, por ne do të mundohemi të mbrohemi mirë dhe me kundërsulme t’i ndëshkojmë.”
I pyetur për mundësinë për të shënuar sërish ndaj Sllovenisë, Muriqi u shpreh:
“Jam sulmues dhe të gjithë presin gola prej meje. Jam 100% i gatshëm. Sigurisht që do të isha shumë i lumtur të shënoja, por më e rëndësishmja është fitorja e ekipit.”
Për vetëbesimin e sllovenëve, Muriqi shtoi:
“Nuk e di se nga e kanë marrë gjithë këtë besim. Vetë tabela tregon se kemi bërë më shumë se ata. Është normale që ata të flasin me vetëbesim para medieve të tyre, por edhe ne besojmë në veten tonë. Kualifikimi në play-off është shumë i rëndësishëm – më pas do të shohim nëse mund ta arrijmë edhe direkt.”