Gattuso

Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, doli sot përpara mediave nga qendra stërvitore e Covercianos, në prag të dy sfidave të rëndësishme të nëntorit kundër Moldavisë dhe Norvegjisë. Një konferencë që zgjati mbi një orë, ku ish-kampioni i botës nuk la temë pa prekur – nga taktikat moderne, tek problemet e futbollit italian dhe talentet e reja që po trokasin në kombëtare.

Moldavia, më e rëndësishmja: “Aty përgatitet mendërisht ekipi”

Gattuso theksoi se ndeshja e parë, ajo ndaj Moldavisë, është vendimtare për përgatitjen psikologjike të skuadrës:
“Norvegjia është skuadër me cilësi dhe fizik, por ndeshja me Moldavinë është ajo që duhet të përballojmë si një test karakteri. Atje do të shoh nëse skuadra është e përgatitur mendërisht për të përballuar sfida të vështira.”

Sulmi dhe roli i Scamaccas

Trajneri mbrojti Gianluca Scamaccan, duke theksuar se ai nuk ka nevojë të provojë asgjë:
“Ai e di çfarë dua nga ai. Ka kaluar një periudhë të vështirë me dëmtime, por është këtu sepse besoj tek ai. Nuk ka nevojë të bindë askënd, vetëm të ndjekë ritmin e skuadrës dhe të japë maksimumin.”

Pio Esposito dhe Raspadori – e ardhmja në ndërtim

Dy emrat e rinj, Pio Esposito dhe Giacomo Raspadori, u përmendën si lojtarë me potencial, por që duhet të tregojnë më shumë:
“Pio nuk mund të bëjë gabime, është 20 vjeç dhe ende në fazë prove. Raspadori është një lojtar i madh, por më vret fakti që luan kaq pak. Këto janë problemet tona sot.”

Futbolli italian mes potencialit dhe kufizimeve

Në një reflektim të sinqertë për kampionatin italian, Gattuso tha:
“Në Angli luajnë një sport tjetër, për shkak të fuqisë financiare. Por ne kemi trajnerë të jashtëzakonshëm. Problemi ynë nuk është cilësia, por fakti që në çdo ndeshje ka vetëm 2-3 lojtarë për t’u parë. Duhet të krijojmë më shumë thellësi.”

Roli i mbrojtjes dhe transformimi taktik

“Futbolli ka ndryshuar. Sot luhet mbi pikë referimi individual, jo më në mënyrë të organizuar si më parë. Vetëm Sarri mbron si njësi. Kemi lojtarë që nuk dinë të fitojnë duelet në ajër, sepse nuk punohet më teknikisht në mbrojtje.”

Talenti i Calafiorit dhe përgatitja taktike

Një ndër lojtarët më fleksibël të grupit, Riccardo Calafiori, mori lavdërime të veçanta:
“Ai është i zgjuar, luan si mbrojtës i majtë, qendror, madje edhe në mesfushë. I njeh hapësirat dhe di të lëvizë me intuitë.”

Rinia dhe durimi: “Mos i vlerësoni lojtarët para moshës 22 vjeç

Trajneri kërkoi më shumë durim nga publiku dhe media me talentet e reja:
“Në Itali nxjerrim konkluzione shumë shpejt. Lojtarët duhet të rriten, të gabojnë, të zhvillohen. Deri në moshën 21-22 nuk mund të jepni verdikte. Ky është mësimi më i madh që kam marrë jashtë vendit.”

Chiesa dhe komunikimi i ndërsjellë

Lidhur me mungesën e Federico Chiesas, Gattuso u tregua korrekt:
“Kam folur shpesh me të. Ka çështje personale që duhet respektuar. Është vendim i tij, dhe unë e kuptoj.”

Objektivat dhe formacioni

Sa i përket formacionit, Gattuso paralajmëroi fleksibilitet:
“Do të luajmë me dy sisteme të ndryshme. Në ndeshjen e parë do aktivizoj disa lojtarë që nuk kanë pasur shumë minuta më parë. Dua përkushtim maksimal.”

Problemet e kalendarit dhe planifikimi deri në janar

Trajneri zbuloi se po punohet për të gjetur hapësira për grumbullime të reja:
“Nuk ka kohë për t’u mbledhur para ‘playoff’-eve. Po mundohemi të planifikojmë deri në janar, do ndjekim lojtarët, do takohemi, do darkojmë me ta. Duhet të përshtatemi me realitetin.”