
Ndeshja e dytë e fazës së 1/8-ës së finales solli përballjen mes Gjermanisë, e favorizuar në letër, dhe Portugalisë, surprizës së turneut që arriti në këtë fazë në mënyrë befasuese. Megjithëse pjesa e parë tregoi një ndeshje të ekuilibruar – Portugalia ishte në avantazh me rezultatin 32:31 – në pjesën e dytë, Gjermania dominoi dhe përfundoi takimin me një fitore të thellë 85:58.
Dennis Schroder dhe Franz Wagner ishin protagonistët kryesorë për gjermanët me nga 16 pikë secili, ndërsa Isaac Bonga kontribuoi me 15 pikë. Në kampin portugez, më i miri ishte Neemias Queta, lojtari i Boston Celtics, i cili realizoi një “double-double” me 18 pikë dhe 11 kërcime.
Queta, që në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve u përjashtua pas dy gabimesh teknike ndaj Estonisë, tregoi klasin e tij edhe pse Portugalia nuk arriti të përballojë forcën e gjermanëve. Pavarësisht humbjes, ky mbetet Eurobasket-i më i suksesshëm në historinë e Portugalisë.
Gjermania vijon garën për titull
Me këtë fitore, Gjermania siguron një vend në çerekfinale dhe pret të ndeshet me fituesin e takimit Itali–Slloveni, që do të zhvillohet të dielën në orën 15:30.