
Shumë përfaqësuese në këtë edicion të Eurobasketit po përballen me mungesa për shkak të dëmtimeve dhe sëmundjeve, por kombëtarja e Gjermanisë është gjendur në një situatë edhe më të pazakontë – pa trajnerin e saj kryesor.
Aleks Mumbru, i cili drejtonte Gjermaninë, u shtrua në spital pak para nisjes së turneut për shkak të një infeksioni dhe pati vështirësi serioze gjatë fazës së grupeve në Tampere.
Detyrën e tij e ka marrë ndihmës-trajneri Alan Ibrahimagiç, i cili do ta udhëheqë ekipin në vazhdim të kampionatit europian, ku Gjermania mbetet një nga pretendentet kryesore për medaljen e artë.
Federata Gjermane e Basketbollit konfirmoi lajmin përmes kanaleve zyrtare, duke sqaruar se Mumbru nuk mund të angazhohej plotësisht.
“Gjatë ditëve të fundit kuptova se fizikisht nuk jam gati të udhëheq skuadrën nga pankina gjatë ndeshjeve. Vendosa të riorganizoj rolet në stafin teknik dhe që Alan të marrë përgjegjësinë e trajnerit kryesor. Do të jem sërish në pankinë, për të mbështetur ekipin dhe për të punuar ngushtë me të. Besoj se kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar skuadrën drejt suksesit”, deklaroi Mumbru.
Gjermania do të përballet të mërkurën, në orën 20:00, me Slloveninë në çerekfinalet e Eurobasketit.