Dy nga klubet elitare të Superligës së Kosovës, Gjilani dhe Dukagjini, kanë filluar zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri 2025/26 në qytetin malor të Banskos në Bullgari – një vend i njohur për kushtet ideale për faza përgatitore gjatë verës.
Skuadra e Gjilanit, nën drejtimin e trajnerit Ardian Nuhiu, ka arritur në Bansko të mërkurën, ndërsa Dukagjini i Ismet Munishit iu bashkua një ditë më pas, të enjten.
Të dy klubet planifikojnë të qëndrojnë në kamp stërvitor për më shumë se dhjetë ditë, ku do të zhvillojnë seanca intensive stërvitore dhe një sërë miqësoresh të planifikuara me ekipe ndërkombëtare.
Gjilani dhe Dukagjini kanë qenë aktivë gjatë merkatos verore, duke kryer disa përforcime të rëndësishme në të gjitha repartet, me synimin për të qenë konkurrues të fortë në edicionin e ri të Superligës.
Përveç seancave të përditshme stërvitore, stafi teknik i të dyja skuadrave ka planifikuar edhe ndeshje miqësore për të testuar skuadrën dhe për të integruar përforcimet e reja në sistemin e lojës.
Kampi në Bansko pritet të jetë një fazë kyçe në ndërtimin e formës së duhur dhe përgatitjen psikofizike para fillimit të sezonit të ri.