Guardiola pas barazimit me Arsenalin: Miq të mi, po plakem!

pep guardiola
Pep Guardiola

Arsenal dhe Manchester City ndanë pikët në “Emirates” me rezultat 1-1 në ndeshjen e javës së pestë të Premier League. Erling Haaland shënoi për City në minutën e 9-të, ndërsa Gabriel Martinelli barazoi për Arsenalin në minutat shtesë të pjesës së dytë.

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, pas ndeshjes u shpreh i pakënaqur me rezultatin, por i kënaqur me performancën e skuadrës:

“Jam i zhgënjyer nga rezultati. Luajtëm vërtet fort, pas një jave shumë të vështirë. Është kërkuese të luash me këtë ritëm. Kundërshtari ishte shumë i mirë dhe, në fund, rezultati është i drejtë. Kjo është një skuadër e re, me shumë lojtarë të rinj dhe një portier të ri në një rol shumë të rëndësishëm. Duhet të ecim hap pas hapi”, tha Guardiola.

Kur u pyet nga gazetarët pse kishte vendosur të aktivizonte të njëjtën formacion si në ndeshjen e kaluar, ai u përgjigj me humor:

“Sepse u zgjova dje dhe i thashë vetes se do të luanin të njëjtët lojtarë. Ndonjëherë e befasoj edhe vetveten. Po plakem, miqtë e mi.”