Harry Kane shkruan histori: Bëhet lojtari më i shpejtë që shënon 100 gola për një klub në ligat elitare të Europës

kane
Kane

Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka vendosur një rekord të ri historik në futbollin europian, duke u bërë lojtari më i shpejtë që arrin kuotën e 100 golave për një klub në pesë ligat kryesore të Europës.

Kapiteni i Anglisë realizoi këtë arritje në vetëm 104 ndeshje, pasi shënoi dy gola për Bayern ndaj Werder Bremen këtë mbrëmje në Bundesliga.

Kane e filloi ndeshjen me një gol nga pika e bardhë në minutën e 45-të, duke e çuar rezultatin në 2-0 pas golit hapës të Jonathan Tah. Ky ishte penalltia e 18-të e suksesshme radhazi për Kane me fanellën bavareze – një rekord absolut në historinë e Bundesligës.

Në minutën e 65-të, Kane vulosi golin e tij të 100-të, duke përfituar nga një top i mbetur në zonë dhe duke dërguar sferën në rrjetë me qetësi.

Me këtë arritje, Kane thyen rekordin e mbajtur nga Erling Haaland dhe Cristiano Ronaldo, të cilëve u janë dashur 105 ndeshje për të shënuar 100 gola me Manchester City dhe Real Madrid, përkatësisht.

Që prej transferimit të tij nga Tottenham Hotspur në verën e vitit 2023, Kane është bërë lojtari i 19-të në historinë e Bayern Munich që kalon kuotën e 100 golave.

32-vjeçari po kalon një formë të jashtëzakonshme në fillim të këtij sezoni: 10 gola në 5 ndeshje të Bundesligës, dhe 15 gola në të gjitha kompeticionet.