Hendboll: Kosova U19 deklason Izraelin!

Kosova U19
Kosova

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka arritur një fitore të thellë në ndeshjen e parë për plasman në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjeorgji.

Të premten paradite në Telavi, vajzat tona shfaqën një paraqitje brilante duke triumfuar me rezultatin 35:26 ndaj Izraelit.

Që nga fillimi, “Dardanet” dominuan dhe krijuan një epërsi të madhe, duke nisur me rezultat 5:0 dhe më pas 11:1. Ato vazhduan të kontrollonin lojën gjatë gjithë ndeshjes, dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 17:10.

Martina Bibaj ishte udhëheqësja e ekipit, duke shënuar 10 gola nga 12 tentime. Diona Dresh realizoi 7 gola nga 9 tentime, ndërsa Arjeta Imeraj kontribuoi me 6 gola nga 7 tentime.

Sara Gjergjaj dhe Zoja Kameraj shënuan nga 3 gola secila, Orgesa Gola dhe Elona Zeneli nga 2 gola secila, ndërsa Klaudia Ukaj dhe Arona Krasniqi realizuan nga një gol. Portierja Donjeta Shabani u dallua me 13 pritje dhe u shpall lojtaria më e mirë e ndeshjes.

Të gjitha lojtaret dhanë një kontribut të madh në këtë fitore të rëndësishme.

Tani, Kombëtarja U19 e Kosovës do të luajë për vendin e pestë në Evropianin B në Gjeorgji, me ndeshjen për vend të pestë që do të zhvillohet të dielën.