Dy persona janë arrestuar nga autoritetet amerikane, pasi tifozë anonimë në pesë ndeshje të ndryshme të WNBA-së këtë javë hodhën lodra seksuale ngjyrë të gjelbër në fushë, duke ndërprerë përkohësisht lojën dhe rrezikuar sigurinë e sportisteve.
Një prej incidenteve më të bujshme ndodhi gjatë ndeshjes mes LA Sparks dhe Indiana Fever, kur një prej objekteve fluturues gati goditi lojtaren Sophie Cunningham.
“E pabesueshme, e pakuptimtë dhe e papranueshme”, u shpreh trajnerja e Sparks, Lynne Roberts, pas ndeshjes. “Është edhe e rrezikshme – siguria e lojtareve është prioritet absolut, ashtu si dhe respektimi i lojës”.
Incidenti i parë u shënua më 29 korrik, në ndeshjen mes Golden State Valkyries dhe Atlanta Dream. Pas tij, raste të ngjashme u përsëritën në qytete të tjera si Çikago, Phoenix dhe Los Anxhelos. Sipas autoriteteve, autorët nuk ishin të njëjtit persona, dhe një nga të ndaluarit – një adoleshent – e quajti veprimin “një shaka të kotë që po bëhej trend në rrjetet sociale”.
WNBA reagoi me një deklaratë zyrtare duke theksuar se “siguria dhe mirëqenia e të gjithëve në arenat tona është prioritet për ligën”. Liga paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo personi që hedh objekte në fushë, përfshirë përjashtim të menjëhershëm nga arena dhe ndalim për një vit, si dhe ndjekje penale nga autoritetet lokale.