Indrit Tuci: Andorra nuk duhet nënvlerësuar, objektivi është Botërori

Qendërsulmuesi i Kombëtares shqiptare, Indrit Tuci, ka shprehur vendosmërinë e tij dhe të skuadrës para dy sfidave vendimtare në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”.
25-vjeçari, i cili këtë sezon është i huazuar nga Sparta e Pragës te Kayserispor në Turqi, ka bërë një paraqitje të mirë me skuadrën turke, duke realizuar 3 gola në 10 ndeshje në kampionatin elitar. Në prag të dy sfidave të fundit të grupit – më 13 nëntor ndaj Andorrës në transfertë dhe më 16 nëntor kundër Anglisë në “Air Albania” – Tuci ka theksuar se fokusi është maksimal.
“Më e rëndësishmja është ndeshja e parë me Andorrën. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë, sepse kanë një stil loje që nuk i pëlqen askujt. Mbrohen me çdo mënyrë për të mos pësuar gol dhe janë të zotët për të ndëshkuar kur u jepet mundësia.”
Tuci, i rikthyer në grumbullim me Kombëtaren, shprehet i lumtur dhe i motivuar:
“Jam shumë i lumtur që rikthehem te Kombëtarja. Është gjithmonë një nder të veshësh këtë fanellë, sidomos tani që kemi një mundësi të artë për të shkuar në një Kampionat Botëror. Falënderoj çunat që më kanë pritur shumë mirë – atmosfera është pozitive dhe ndjehet harmonia në grup.”
Sulmuesi shtoi se skuadra është përqendruar maksimalisht në analizën e kundërshtarit:
“Kemi parë disa video të Andorrës dhe jemi duke i analizuar në detaj. Shpresoj t’i realizojmë në fushë të gjitha kërkesat e trajnerit. Fitimi i ndeshjes së parë është thelbësor – më pas do të mendojmë për Anglinë.”
Tuci ka 4 paraqitje me Kombëtaren, ndërsa të fundit ka zhvilluar më 2024 kundër Ukrainës.

