Inter Miami sjell “truprojen e Messit” për 15 milionë euro

Rodrigo De Paul
Rodrigo De Paul

Inter Miami ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit të përfaqësueses argjentinase, Rodrigo De Paul, nga Atletico Madrid. Fillimisht si huazim, marrëveshja do të bëhet e përhershme në vitin 2026. Lëvizja e bujshme u konfirmua nga bashkëpronari i klubit, David Beckham, i cili nuk e fshehu entuziazmin për ardhjen e kampionit të botës në MLS.

“Rodrigo është një lojtar që e kam vlerësuar prej vitesh”, – tha Beckham, përcjellë Kërlaçki. “Ka qenë lider kudo ku ka luajtur – sidomos me Argjentinën. Ai sjell përvojë, pasion dhe cilësi në ekipin tonë dhe në qytetin tonë. Jam i lumtur që i uroj mirëseardhjen një tjetër kampioni bote në Inter Miami dhe në MLS.”

Një përforcim me peshë për mesfushën e Miamit

Transferimi u paralajmërua nga vetë Atletico Madrid, që përmes rrjeteve sociale i dha lamtumirën mesfushorit, disa orë para konfirmimit zyrtar nga Inter Miami. De Paul, 31 vjeç, iu bashkua Atleticos nga Udinese katër vite më parë dhe zhvilloi 187 ndeshje, me 14 gola dhe 26 asistime nën drejtimin e Diego Simeones.

“Atletico i uron Rodrigo De Paulit suksese në sfidat e tij të ardhshme, si në aspektin personal ashtu edhe profesional”, thuhej në njoftimin e klubit spanjoll.

Në Inter Miami, De Paul do të forcojë mesfushën ku tashmë ndodhen emra të njohur si Benjamin Cremaschi (reprezentues amerikan), Sergio Busquets (ish-yll i Barcelonës) dhe bashkëkombësi i tij Federico Redondo.