
Kampionet olimpike përmbysin Brazilin dhe fitojnë “arin” në Ligën e Kombeve 2025. Italia vijon të dominojë në skenën ndërkombëtare të volejbollit për femra, duke siguruar të dielën titullin e tretë radhazi në një kompeticion madhor, medaljen e artë në Ligën e Kombeve të Volejbollit (VNL) 2025, të zhvilluar në Lodz të Polonisë, përcjellë Kërlaçki.

Kampionet në fuqi olimpike triumfuan në finale përballë Brazilit me rezultatin 3-1 (22-25, 25-18, 25-22, 25-22), përpara një audience të mbushur plot në Atlas Arena. Ky ishte titulli i tretë në këtë turne për italianet, pas atyre të fituara në vitet 2022 dhe 2024.
Me këtë sukses, Italia regjistron 29 ndeshje radhazi pa humbje në arenën ndërkombëtare dhe konfirmon pozicionin si skuadra numër një në botë, pasi kishte arritur po ashtu edhe triumfin në Lojërat Olimpike të Parisit në 2024. Në këtë edicion të VNL, italianet fituan 15 ndeshje dhe humbën vetëm tetë sete gjatë gjithë turneut.
“Finalja për medaljen e artë ishte shumë e vështirë dhe Brazili nuk u dorëzua asnjëherë”, deklaroi trajneri Julio Velasco. “Nuk luajtëm volejbollin tonë më të mirë, por luftuam gjatë gjithë kohës dhe lojtarët nga stoli bënë diferencën. Jam shumë krenar për këtë grup – janë lojtare me talent të madh, por edhe me mentalitet të fortë dhe gatishmëri për punë të përditshme”.
Italia bëhet kështu vetëm skuadra e dytë që fiton VNL-në për femra në tre edicione të ndryshme, duke iu bashkuar SHBA-së (fituese në 2018, 2019 dhe 2021). Turqia fitoi edicionin e vitit 2023. Brazili, ndërkohë, është i vetmi ekip që ka fituar katër medalje në këtë turne (katër të argjendta: 2019, 2021, 2022 dhe 2025).
Tetë lojtare kanë qenë pjesë e të tre sukseseve italiane në VNL: pasuesja Alessia Orro, sulmuesja e pasme Paola Egonu, anësoret Myriam Sylla, Alice Degradi dhe Loveth Omoruyi, qendër-bllokuese Anna Danesi dhe liberos Monica De Gennaro e Eleonora Fersino.
Në finalen kundër Brazilit, zëvendësuesja Ekaterina Antropova dha një paraqitje të shkëlqyer duke zëvendësuar MVP-në e Lojërave Olimpike, Egonu, dhe shënoi 18 pikë (13 goditje, katër bllokime dhe një as). Sylla, në paraqitjen e saj më të mirë në këtë edicion të VNL, kontribuoi me 16 pikë (13 goditje dhe tre bllokime).
Italia përballoi edhe dëmtimin e jashtme-sulmueses Alice Degradi gjatë setit të dytë, e cila dyshohet për një dëmtim në kyçin e këmbës së majtë. Ajo u zëvendësua nga 21-vjeçarja Stella Nervini, që shënoi shtatë pikë të gjitha nga goditje.
“E dua këtë skuadër”, tha Sylla. “Jemi shumë të lumtura dhe kemi punuar së bashku për të arritur këtu. Sot treguam çfarë do të thotë ‘ekip’ për ne. Kur dikush bie apo dëmtohet, kemi të tjera gati për të dhënë maksimumin”.
Nga ana tjetër, për Brazilin u dallua kapitenia Gabriela ‘Gabi’ Guimaraes me 15 pikë (dhjetë goditje, katër bllokime dhe një as). Bllokuese qendrore Julia Kudiess kontribuoi me 12 pikë (shtatë goditje dhe pesë bllokime).
“Ato treguan cilësinë e skuadrës së tyre”, tha Gabi. “E nisëm mirë dhe i vumë në vështirësi, por më pas niveli ynë ra. Për të mundur një skuadër si Italia, nuk mjafton të luash mirë – duhet qëndrueshmëri dhe shfrytëzim maksimal i çdo rasti. Por mendoj se ky ishte një turne i shkëlqyer për ne. Skuadra u paraqit mirë dhe ishte inkurajuese të shohësh lojtaret e reja që marrin përgjegjësi”.
Polonia medaljen e bronztë
Kombëtarja e femrave të Polonisë në volejboll ka fituar medaljen e bronztë në Volleyball Nations League (VNL) 2025, duke mposhtur Japoninë me rezultat 3–1 (25–15, 24–26, 25–16, 25–23) në ndeshjen për vendin e tretë të zhvilluar në Lodz, Poloni. Ky ishte edicioni i tretë radhazi që polaket ngjiten në podium, por këtë herë gëzimi ishte i veçantë, pasi triumfi erdhi përballë 10,000 tifozëve vendas në “Atlas Arena”.
Pas eliminimit në gjysmëfinale nga kampionet olimpike të Italisë, Polonia reagoi me karakter dhe forcë në ndeshjen për vendin e tretë ndaj një Japonie këmbëngulëse. Me këtë fitore, Polonia bëhet ekipi i gjashtë në histori që arrin tre medalje në shtatë edicionet e para të VNL-së, duke iu bashkuar Brazilit, Italisë, SHBA-së, Turqisë dhe Kinës.
Trajneri italian i Polonisë, Stefano Lavarini, u shpreh, “Është fantastike që fituam medalje këtu në Łódź. Që kur kam nisur të drejtoj Poloninë, kemi luajtur çdo vit këtu dhe atmosfera ka qenë gjithmonë e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur që këtë herë arritëm t’i falënderojmë tifozët tanë me një medalje.”
Në plan të parë qëndroi sulmuesja kryesore Magdalena Stysiak, e cila udhëhoqi ofensivën me 18 pikë (16 goditje dhe 2 bllokime). Kapitenia e skuadrës, Agnieszka Korneluk, ishte gjithashtu brilante me 16 pikë – tetë bllokime dhe tetë sulme. Edhe Martyna Czyrńianska dhe Martyna Łukasic kontribuan ndjeshëm me nga 12 dhe 11 pikë secila.
“Pas humbjes në gjysmëfinale, ishte shumë e vështirë për ne emocionalisht, por sot ishim të përqendruara maksimalisht,” u shpreh liberoja Aleksandra Szczygłowska. “Kjo fitore është për tifozët tanë. Emocionet janë të papërshkrueshme. Do të festojmë, por e dimë që kemi ende shumë punë përpara.”
Statistikat treguan ekuilibër në goditje (52–52) dhe në aces (2–2), por dominimi i Polonisë në bllokime (15–2) dhe gabimet e kundërshtarit (30 të Japonisë ndaj 24 të Polonisë) vendosën rezultatin final.
Për Japoninë, më e mira ishte Haruyo Shimamura me 15 pikë, ndjekur nga kapitenia Mayu Ishikawa me 12 pikë – të gjitha nga sulmet.
Pas përfundimit të VNL 2025, të dyja ekipet do të rikthehen në stërvitje për t’u përgatitur për Kampionatin Botëror të Volejbollit për Femra 2025, që do të mbahet në Tajlandë nga 22 gushti deri më 7 shtator.