KFF Mitrovica eliminohet nga Liga e Kampionëve

kff mitrovica
KFF Mitrovica

Kampionia e Kosovës, KFF Mitrovica ka pësuar humbje në start të aventurës evropiane, duke u eliminuar nga raundi i parë kualifikues në Ligën e Kampionëve për futbolliste.

Edhe pse kaloi në epërsi dhe pati rast të artë për të mbyllur ndeshjen, kampionia e Kosovës u përmbys nga Cliftonville i Irlandës së Veriut, që fitoi 3:1 të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Aurora Mulliqi realizoi për 1:0 në fund të pjesës së parë, ndërsa Edona Kryeziu humbi një mundësi të madhe për golin e dytë.

Në minutën e 84-të, mysafiret barazuan përmes rezervistes Carla Devine, që më pas shënoi edhe dy herë të tjera në vazhdime (100’ dhe 113’), duke i dhënë fund ëndrrës së Mitrovicës.

Të tre golat e Cliftonville erdhën pas goditjeve nga këndi, ndërsa Mitrovica, me gjithë ambiciet, u eliminua që në ndeshjen e parë.

Në finalen e raundit të parë, Cliftonville përballet me Lanchkhutin e Gjeorgjisë të shtunën në Prishtinë.