Birmingham City ka prezantuar në rrjetet sociale projektin madhështor të stadiumit të ri, ndërtimi i të cilit pritet të kushtojë plot 1.4 miliardë euro. Vizualizimi ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe entuziazmin e Jude Bellingham, yllit të Real Madridit, i cili ka një lidhje të veçantë me këtë klub.

“Gjiganti në gjumë” që ëndërron finalen e Ligës së Kampionëve

Birmingham City, që aktualisht militon në Championship (liga e dytë angleze), ka ambicie të mëdha. Klubi nuk ka luajtur në Premier League që nga sezoni 2010/11. Vitin e kaluar ishte në League One (liga e tretë), por arriti të rikthehet shpejt në ligën e dytë.

Tashmë, klubi ka prezantuar projektin e stadiumit të ri modern, me kapacitet deri në 62,000 vende – dyfishi i atij aktual. Stadiumi do të ketë çati të tërheqshme dhe do të shërbejë edhe për koncerte e evente të tjera. Struktura do të jetë e rrethuar nga 12 oxhaqe që simbolizojnë tullaritë që dikur ndodheshin në këtë zonë.

“Kjo është një pikë kthese për Birmingham City. Po krijojmë një shtëpi që pasqyron ambicien tonë për të konkurruar në nivelin më të lartë. Ky projekt është një shfaqje ambicieje jo vetëm për klubin, por edhe për qytetin e Birminghamit dhe gjithë rajonin West Midlands”, deklaroi presidenti i klubit, Tom Wagner.

Në prezantimin e modelit të stadiumit ishte i pranishëm edhe Jude Bellingham, që sot shkëlqen me Real Madridin. Ai iu bashkua akademisë së Birmingham City në moshën 8-vjeçare dhe qëndroi deri në vitin 2020, kur u transferua te Borussia Dortmund.