Kosova mposht Britaninë e Madhe 36:22 në udhëtim, një hap larg fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka regjistruar një fitore mbresëlënëse sonte ndaj Britanisë së Madhe, duke triumfuar me rezultat të thellë 36:22 në “Derby Arena”.
Kjo ndeshje, e vlefshme për fazën e parë të kualifikimeve drejt Kampionatit Botëror 2027, e vendos përfaqësuesen tonë vetëm një hap larg avancimit në fazën e dytë kualifikuese.
Kosova dominoi në të gjitha aspektet e lojës, duke konfirmuar përgatitjen serioze të ekipit nën drejtimin e selektorit Jesper Ostlund. Krahasuar me përballjen e zhvilluar në janar të këtij viti – një miqësore të fituar me rezultat 29:23 – kjo sfidë kishte rëndësi vendimtare dhe ekipi reagoi në mënyrë ideale.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 2 nëntor në Prishtinë, ku “dardanët” do të kërkojnë të vulosin kalimin në fazën tjetër me ndihmën e tifozëve vendas.