Të enjten, më 20 nëntor, në orën 13:00, në selinë e UEFA-s do të hidhet shorti për fazën “play-off” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Kosova dhe Shqipëria ndodhen në mesin e 16 skuadrave që do të garojnë për katër vendet e fundit evropiane në Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Të dyja kombëtaret shqiptare ndodhen në vazon e tretë, çka nënkupton se në gjysmëfinalet e play-off-it do të përballen me një kundërshtar nga vazo e dytë, dhe atë si mysafire.
Përbërja e vazove për shortin:
-
Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina
-
Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia
-
Vazo 3: Irlanda, Shqipëria, Bosnja, Kosova
-
Vazo 4: Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut
Kosova dhe Shqipëria do të mësojnë jo vetëm kundërshtarët për gjysmëfinalet (që zhvillohen më 26 mars), por edhe mundësinë e tyre në finalet e këtij mini-turneu, që luhen më 31 mars. Po atë ditë do të përcaktohet edhe se cila skuadër do të ketë epërsinë e fushës nëse kalon në finale.
Fituesit e katër finaleve të grupeve të “play-off”-it do t’i bashkohen skuadrave që tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026.
Ky short pritet me shumë interes nga publiku shqiptar, pasi për herë të parë të dy kombëtaret kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrje në “play-off”, dhe ndodhen vetëm dy ndeshje larg një kualifikimi historik.


