
Mesfushori zviceran, Fabian Rieder, ka shprehur respektin për kundërshtarët e grupit në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke e përfshirë edhe Kosovën, por ka theksuar se synimi i Zvicrës është të dalë fituese në të trija ndeshjet.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën, Rieder, i cili është transferuar së fundmi te Augsburgu në Gjermani, foli me respekt për shokun e ri të skuadrës, Elvis Rexhbeçajn, me të cilin do të përballet si kundërshtar të premten në ndeshjen e kualifikuese.
“Luajmë kundër Rexhbeçajt, shokut të ri të skuadrës. Por Kosova është një ekip i organizuar mirë dhe do të na duhet të japim gjithçka deri në limit për të marrë një rezultat pozitiv”, tha Rieder.
Duke e ndarë fokusin midis detyrës klubistike dhe atyre kombëtare, Rieder theksoi se grupi i kualifikimeve, ku janë edhe Suedia dhe Sllovenia, është jashtëzakonisht kompetitiv.
“Nuk do të jetë ecje në park. Të gjitha tre ekipet kanë cilësi të jashtëzakonshme. Por ne duam ta kalojmë grupin dhe, nëse është e mundur, t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Këto janë synimet tona”, deklaroi me ambicie 23-vjeçari.
Rieder, i cili ka 19 ndeshje dhe një gol me kombëtaren zvicerane, e përfundoi me një mesazh të qartë për gatishmërinë e ekipit të tij: “Kur është fjala për gjëra të rëndësishme, ne gjithmonë kemi qenë gati. Mezi presim të fillojmë”.
Ndeshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe Zvicrës luhet të premten në Basel, ora 20:45.