Kalo te përmbajtja
Montag, 3 August 2026
Kombëtaret

Kosova U20 deklason Katarin në miqësoren e parë në Hajvali

Kombëtarja e Kosovës U20 shënoi një fitore të thellë 5:1 ndaj Katarit U20, në një ndeshje miqësore të zhvilluar të dielën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Kjo përballje u organizua në kuadër të programit “UEFA Together”, që ka për synim zhvillimin dhe shkëmbimin e përvojave mes federatave anëtare të UEFA-s dhe vendeve nga kontinentet e tjera.

Kosova U20b

Dardanët e rinj, nën drejtimin e trajnerit Bekim Isufi, e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke dominuar në çdo aspekt të lojës. Epërsia u vendos që në minutën e 3-të, kur Ernis Qestaj përfitoi nga një aksion i rrjedhshëm për të shënuar golin e parë. Në minutën e 27-të, Rin Ahmeti realizoi nga pika e bardhë për 2:0, pas një faulli ndaj Rezon Gashit brenda zonës. Vetëm dy minuta më pas, Qestaj gjeti sërish rrjetën për rezultatin 3:0.

Katari reagoi përmes një penalltie të fituar dhe të shënuar nga Mohamed Moatasim A Elsiddig, duke ngushtuar shifrat në 3:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Kosova ruajti kontrollin e lojës pavarësisht disa ndërrimeve në formacion. Loja u menaxhua me maturi dhe qetësi, ndërsa në minutat shtesë u vendos edhe vula përfundimtare. Enes Hajrullahu shënoi në minutën e 92-të pas një aksioni të shpejtë, ndërsa Anik Vitia në minutën e 94-të e çoi rezultatin në 5:1.

Pas ndeshjes, trajneri Isufi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit:
“Rezultati flet vetë. Dominim total ndaj një kundërshtari që nuk e njihnim mirë. Edhe pse kishim pak kohë për t’u përgatitur, lojtarët treguan përkushtim dhe disiplinë taktike. Ka ende hapësirë për përmirësim, por për një grup që po bashkohet për herë të parë, kjo paraqitje është shumë inkurajuese. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjen e dytë.”

Takimi i dytë miqësor mes Kosovës U20 dhe Katarit U20 do të zhvillohet pas tre ditësh, sërish në Hajvali, me fillim nga ora 13:00.

Kosova U20a