Kombëtarja U21 e Kosovës ka përmbyllur përgatitjet përballë ndeshjes kualifikuese kundër Qipros, që do të zhvillohet sot (14 nëntor) në orën 18:00 në stadiumin “Dasaki Achnas” në Larnaka.
Në stërvitjen e fundit të mbajtur sot, atmosfera në grup ishte pozitive dhe entuziazmi i lojtarëve dukshëm i lartë, ndërsa përzgjedhësi Afrim Tovërlani u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe seriozitetin e skuadrës.
“Skuadra është në gjendje të mirë dhe ka punuar me përkushtim. Fatkeqësisht, kemi pasur një mungesë – Edion Gashi është lënduar dhe është rikthyer në Gjermani – por të gjithë të tjerët janë të fokusuar dhe të motivuar për të dhënë maksimumin”, deklaroi Tovërlani.
Mesfushori Igball Jashari nënvizoi rëndësinë e përballjes dhe besimin në grup:
“Çdo ndeshje është vendimtare për objektivat tona. Kemi një grup të fortë, lojtarë që aktivizohen në ekipe të njohura evropiane, dhe besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv.”
Edhe Hekuran Berisha konfirmoi formën e mirë të skuadrës:
“Tri ditët e fundit kemi punuar intensivisht dhe jemi të përgatitur. Përkushtimi ka qenë maksimal dhe kjo reflekton gatishmërinë tonë për nesër.”
Julond Selmonaj, në anën tjetër, theksoi respektin për kundërshtarin por edhe vendosmërinë për fitore:
“Qipro nuk është si San Marino, është kundërshtar serioz, por ne kemi punuar mirë dhe besojmë se mund të marrim tri pikët.”
Të rinjtë e Kosovës do të kërkojnë të vazhdojnë rrugëtimin e suksesshëm në këtë fushatë kualifikuese, me një paraqitje bindëse në tokën qipriote.

