Kosovës U21 zhvillon nesër ndeshjen me Finlandën në Turku

Kombëtarja U21 e Kosovës ka mbërritur në Turku të Finlandës, ku sot ka zhvilluar stërvitjen e parë para ndeshjes kualifikuese që luhet nesër. Dardanët, nën drejtimin e përzgjedhësit Afrim Tovërlani, kanë kryer seancën me energji pozitive dhe përqendrim maksimal.
Pas stërvitjes, futbollistët u shprehën optimistë për vazhdimin e formës së mirë edhe në duelin e së martës kundër Finlandës. Erion Sadriu tha se atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe fitorja ndaj Qipros u ka dhënë vetëbesim të madh.
“Triumfi ndaj Qipros ishte i rëndësishëm, por tashmë ai takim ka mbetur pas. Fokusi ynë i plotë është te Finlanda. Me këtë grup nuk kam dyshim se mund të arrijmë rezultat pozitiv”, deklaroi Sadriu për uebfaqen e FFK-së.
Edhe Laurent Sejdiu nënvizoi gatishmërinë e skuadrës:
“Jemi të gjithë gati për ndeshjen e nesërme. Jam i lumtur për asistimet që dhashë dhe shpresoj që si ekip të paraqitemi edhe më mirë këtu në Turku. Udhëtimi ka qenë i gjatë, por tash jemi tërësisht të fokusuar.”
Ndërkohë, golashënuesi i ndeshjes së kaluar, Lendrit Shala, foli për rëndësinë e rikuperimit:
“Pas rrugës së gjatë, kemi synuar të pushojmë mirë për të qenë të freskët. Jam krenar për golin ndaj Qipros dhe besoj se ajo fitore na ka dhënë vetëbesim të madh. Jemi gati të luftojmë për tri pikë të reja.”
Përzgjedhësi Afrim Tovërlani theksoi se Finlanda është test më i vështirë:
“Finlanda është më e fortë se Qipro, prandaj do të na duhet më tepër luftë dhe më shumë duele. Gjendja e futbollistëve është e mirë, por problemi kryesor është ndryshimi i madh i temperaturës – kemi ardhur nga 21 gradë në temperatura nën zero”, ka thënë për FFK, Tovërlani.
Ndërkaq, Arianit Hasani vlerësoi atmosferën në ekip:
“Atmosfera është shumë e mirë. Djemtë po e japin maksimumin. Shpresoj që edhe këtu të marrim pikë.”
Dardanët kanë kompletuar përgatitjet finale sot në Turku, teksa nesër kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv në rrugën drejt kualifikimeve.



