La Shqipërinë për Zvicrën, Ardian Bajrami bëhet zyrtarisht me klub të ri

Ardian Bajrami

Adrian Bajrami nuk është më futbollist i Benficas i huazuar te Luzerni. 23-vjeçari tashmë ka nënshkruar kontratë të përhershme me klubin zviceran, duke përfunduar zyrtarisht aventurën e tij me gjigantin portugez.

Luzerni ka blerë kartonin e Bajramit, ndonëse huazimi i tij ishte i vlefshëm deri në verën e ardhshme. Mbrojtësi shqiptar u huazua në korrik, menjëherë pas paraqitjes në Kupën e Botës për Klube, ndërsa tani ka firmosur marrëveshje afatgjatë deri në vitin 2028.

Bajrami është bërë menjëherë titullar i padiskutueshëm, duke startuar në të gjitha ndeshjet garuese të Luzernit në këtë sezon.

ardian bajrami

Para pak javësh, ai refuzoi ftesën e Kombëtares së Shqipërisë, duke konfirmuar se ka vendosur të përfaqësojë Zvicrën, pavarësisht se për shumë vite ishte pjesë e kuqezinjve.

Drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer, shprehu kënaqësinë për këtë marrëveshje: “Adriani është integruar shkëlqyeshëm dhe për kohë të shkurtër është bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes sonë. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të sigurojmë kontratë të përhershme me të. Në konsultim me Benfican, kemi gjetur një zgjidhje të pranueshme.”