Lens

Skuadrat e Lens dhe Lille siguruan fitore të rëndësishme në javën e 11-të të Ligue 1, duke përfituar nga krizat e kundërshtarëve për të forcuar pozitat në zonën e kreut. Lens mposhti bindshëm Lorient-in me rezultatin 3-0, duke qëndruar vetëm dy pikë larg vendit të parë, ndërsa Lille iu rikthye fitores në shtëpi me një sukses minimal 1-0 ndaj Angers-it, që e ngjit përkohësisht në katërshen më të mirë.

Lens 3-0 Lorient – Fitorja e pestë radhazi në shtëpi për “Les Sang et Or”

RC Lens mbajti gjallë shpresat për titull pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Lorient në “Stade Bollaert-Delelis”, duke shënuar fitoren e pestë radhazi si vendas. Pas humbjes surprizë ndaj Metz në mesjavë, skuadra e trajnerit Pierre Sage reagoi fuqishëm që në fillim të takimit. Odsonne Édouard zhbllokoi rezultatin që në minutën e 6-të, ndërsa Florian Thauvin humbi një rast ideal për të dyfishuar, i ndalur nga portieri Mvogo.

Lorient reagoi në pjesën e dytë dhe pati disa raste të mira, përfshirë një penallti të humbur nga Mohamed Bamba në minutën e 64-t. Megjithatë, Lens ishte më klinik në fund: Wesley Saïd dhe Samson Baidoo shënuan edhe dy herë për vendasit, që tani ndodhen vetëm dy pikë prapa kryesuesve. Lorient mbetet në vendin e 16-të, në zonën e “play-out”-it, pa asnjë fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Lille 1-0 Angers – Fitore e ngushtë por e çmuar për të hyrë në top-4

Lille arriti një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Angers në “Stade Pierre-Mauroy”, duke i dhënë fund serisë pozitive të miqve dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt. Goli i vetëm i ndeshjes u realizua në fund të pjesës së parë nga Félix Correia, pas një aksioni të ndërtuar me durim nga Ayyoub Bouaddi.

Në pjesën e dytë, Lille pati disa mundësi për të dyfishuar, por Correia dhe Giroud nuk arritën të finalizojnë. Angers, ndonëse bëri të gjitha zëvendësimet, nuk arriti të krijojë ndonjë rrezik serioz dhe nuk regjistroi asnjë goditje në portë në 45 minutat e dyta. Me këtë humbje, Angers mbetet vetëm një pikë mbi zonën e rënies.

 

Standings provided by Sofascore