Futbollisti Leon Avdullahu ka folur për herë të parë pasi është grumbulluar nga Kombëtarja e Kosovës. I mbërritur në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, mes emocioneve, ai u shpreh se ky është një vendim i marrë me zemër.
“Po ndihem shumë mirë. Shumë jam i kënaqur për vendimin, e kam marrë me zemër. Jam shumë i lumtur që e kam bërë këtë zgjedhje dhe shpresoj të arrijmë gjëra të mëdha me Kosovën”, tha Avdullahu para gazetarëve.
Ai pranoi se nuk i njeh nga afër të gjithë lojtarët e përfaqësueses, përveç Fisnik Asllanit, por u shpreh i bindur se do të përshtatet shpejt me grupin.
Duke folur për ndeshjen e radhës kundër Zvicrës, Avdullahu vlerësoi kundërshtarin si favorit, por shtoi me besim:
“Edhe ne kemi një ekip shumë të mirë dhe besoj do të jetë një lojë e fortë. Unë do të jap gjithmonë maksimumin për Kosovën.”
