
Ramiz Sadiku pësoi sot vetëm humbjen e dytë në kampionat, sërish në shtëpi. Pas humbjes nga Vëllaznimi më herët në sezon, kësaj here skuadra prishtinase u mposht nga Liria e Prizrenit, një prej skuadrave pretendente për ngjitje, që drejtohet nga trajneri Liridon Leci.

Pas përfundimit të takimit, Leci u shpreh për Kërlaçkin:
“Fitore shumë e vështirë. E dinim që Ramiz Sadiku si vendas luan me angazhim dhe disiplinë të madhe. Ishim të vetëdijshëm se do të ishte një transfertë e komplikuar. I përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe disiplinën që treguan gjatë gjithë ndeshjes. Duhet të vazhdojmë me serinë e fitoreve dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë. Na pret një rrugë e gjatë.”
Për Lirinë, kjo ishte një fitore e rëndësishme pas dy barazimeve radhazi në shtëpi. Në javën e 13-të, bardhezinjtë do të rikthehen në Prizren, ku do të përballen me Vëllaznimin në derbin e madh të Dukagjinit.