
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka pranuar se skuadra e tij ishte “plotësisht e humbur” pas eliminimit tronditës në raundin e dytë të Kupës së Ligës. Unitedi u turpërua të mërkurën mbrëma nga Grimsby, ekip i kategorisë së katërt, duke humbur me rezultat 12:11 pas penalltive.
Ky dështim konsiderohet një tjetër pikë e errët për klubin e njohur anglez, nën drejtimin e trajnerit portugez. Edhe optimistët më të mëdhenj tashmë dyshojnë seriozisht për kampanjën e re në Premier League.
Unitedi u gjend në disavantazh 2:0 pas vetëm 30 minutash lojë dhe shpëtoi nga një humbje më e thellë në pjesën e dytë. Vetëm golat e vonshëm të Bryan Mbuemos dhe Harry Maguire e çuan ndeshjen në penallti, por pa sukses në fund.
“Ky është limiti. Diçka duhet të ndryshojë. Sot lojtarët folën qartë në fushë. Më i miri fitoi, i vetmi ekip që luajti realisht. Ne e nisëm ndeshjen pa intensitet, ishim të humbur. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e fundjavës dhe më pas të reflektojmë”, deklaroi Amorim, duke kërkuar ndjesë edhe te tifozët.
Unitedi, që ka 20 tituj të kampionatit anglez, e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 15-të – performanca më e dobët që prej rënies nga kategoria në vitin 1974.
Humbja ndaj Grimsby-t i ka shuar njërën prej dy mundësive reale për trofe këtë edicion, duke u regjistruar si një nga rezultatet më të turpshme në historinë e klubit.
“Jam trajneri dhe është detyra ime të kuptoj se çfarë po ndodh. U kërkoj falje tifozëve. Më vjen shumë keq. Kemi luajtur mirë ndaj Arsenalit, fituam ndaj Fulhamit dhe pastaj erdhi kjo ndeshje, në një kompeticion ku gjithçka ka shumë rëndësi. Dhe u paraqitëm kështu. Nuk kam asgjë më shumë për të thënë”, u shpreh i zhgënjyer Amorim.
Skuadra e kategorisë së katërt të futbollit anglez eliminon Manchester Unitedin nga Kupa e Ligës