Mario Mitaj: Fitorja ndaj Andorrës është detyrim, objektivi është play-offi

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, ka folur para dy ndeshjeve të fundit të kuqezinjve në fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Shqipëria do të përballet më 13 nëntor me Andorrën në transfertë dhe më 16 nëntor do të presë Anglinë në “Air Albania”.
Mitaj theksoi qartë synimin kryesor të ekipit: sigurimin e vendit në fazën “play-off”.
“Objektivi është vetëm që të shkojmë në play-off. Jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje – fillimisht fitorja me Andorrën dhe më pas shohim Anglinë”, u shpreh ai.
Lojtari i mbrojtjes tregoi vëmendjen maksimale ndaj përballjes me Andorrën, duke theksuar se ndeshja nuk duhet nënvlerësuar.
“Jemi të vetëdijshëm për kundërshtarët që na presin. Ndeshja ndaj Andorrës është shumë e rëndësishme dhe duhet ta fitojmë patjetër. Vijmë pas tre fitoreve radhazi dhe jemi në një moment të mirë. Të gjithë çunat janë në formë të mirë dhe të karikuar për të dhënë maksimumin.”
Mitaj vuri në dukje se ndeshje të tilla mund të jenë të vështira për shkak të stilit mbrojtës të kundërshtarit, por gjithçka do të varet nga përqendrimi i skuadrës.
“Ndeshjet si me Andorrën janë ato ku kundërshtari mbyllet pas, por rëndësi ka si hyjmë ne në lojë dhe sa të përqendruar jemi. Forma e mirë me klubin ndihmon edhe në kombëtare.”

