Me golin e Vlahoviç Serbia mposht Letoninë duke ia vështirësuar edhe më shumë Kombëtares

SRB-LET
SRB-LET

Serbia i dha fund një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore jashtë fushe, duke mposhtur Letoninë me rezultat minimal 1-0 në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës “FIFA 2026”.

Letonia e nisi ndeshjen më mirë dhe pati rastin e parë të rrezikshëm, kur Renārs Varslavāns shpërtheu nga e majta dhe goditi fort drejt portës, por Gjorđe Petroviç priti mirë. Serbia reagoi shpejt dhe hapi rezultatin pas një kombinimi të bukur mes Dushan Vlahoviç dhe Aleksandar Katai, që përfundoi me sulmuesin e Juventusit që e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës, duke lënë pa shanse portierin Krišjānis Zviedris.

Në fund, Serbia mori tri pikë të çmuara dhe tani është vetëm dy pikë pas Anglisë, kryesueses së grupit. Letonia “zbret” në “Air Albania” kundër Kombëtares të martën (20:45)

 

Stojkoviç: “E rëndësishme është që morëm tri pikë”

“Të gjitha ndeshjet kualifikuese janë të vështira sepse kanë shumë rëndësi. E dinim që Letonia do të mbyllej në mbrojtje, dhe lojtarët treguan durim dhe zgjuarsi për të zgjidhur situatën. E hapëm ndeshjen në kohën e duhur dhe për ne ishte thelbësore të ktheheshim në shtëpi me fitore. Mbase do të kishte qenë më bukur me një gol të dytë, por kjo nuk ndryshon faktin se djemtë e merituan plotësisht fitoren.”

Nicolato: “Jam krenar për ekipin tim”

Trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato, pati një reagim të shkurtër pas ndeshjes:

“Jam i kënaqur me paraqitjen, sidomos në pjesën e dytë. Në pjesën e parë nuk dhamë maksimumin, por më pas patëm më shumë raste dhe luajtëm ndaj një kundërshtari shumë cilësor. Në përgjithësi, jam krenar për skuadrën.”

Autoritetet letoneze nuk lejuan tifozët serb

Tifozët serbë nuk u lejuan të futeshin në stadium me flamuj apo veshje me simbole kombëtare. Policia letone urdhëroi heqjen e bluzave dhe xhaketave me simbole të Serbisë dhe ndaloi hyrjen me flamuj kombëtarë.

Sekretari i përgjithshëm i FSS-së, Branko Radujko, reagoi “ashpër”:

“Nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë. Ne kemi ardhur për të luajtur futboll dhe për të përfaqësuar vendin tonë, ndërsa tifozët erdhën për ta mbështetur ekipin. E kemi informuar me gojë UEFA-n për këtë sjellje të papranueshme dhe të hënën do t’u drejtohemi me shkrim UEFA-s dhe FIFA-s.”

Ai shtoi se, pavarësisht gjithçkaje, fokusi tashmë është te përballja vendimtare ndaj Anglisë të martën në Beograd.