
Dino Klapija (18), sulmuesi i krahut të djathtë i ekipit të të rinjve të Leipzigut, ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës, raportojnë mediat lokale. Talenti i madh, ish-lojtar i Dinamos së Zagrebit, Kustosijës dhe i ekipit kombëtar kroat U17, ka ndryshuar kështu shtetësinë e tij të futbollit për herë të dytë dhe të fundit.
Klapija, i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më tani ka luajtur për ekipet kombëtare U18 dhe U19 të SHBA-së. Përveç Kosovës dhe SHBA-së, ai ka pasur mundësinë të luajë edhe për Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, për shkak të origjinës së tij familjare.
Ai erdhi nga Nju Jorku te Dinamo, por trajneri dhe menaxheri i njohur Andy Bara e transferoi më pas te Kustošija. Klapija iu bashkua akademisë së Dinamos nga New York City FC në mars të vitit 2023, por disa muaj më vonë kaloi te Kustošija. Klubi i Barës e shiti atë te Leipzig në janar të vitit 2024 për 3 milionë euro, sipas të dhënave të Transfermarkt, ndërsa sipas gazetarit Fabrizio Romano, shifra ka qenë rreth 5.2 milionë euro.
Aktualisht, ai luan për ekipin e të rinjve të Leipzigut, ku ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 2 asistime në 37 paraqitje.
Klapija u bë i njohur për herë të parë në median kroate kur mbërriti nga Nju Jorku te Dinamo në moshën 16-vjeçare. “Ai i refuzoi gjermanët dhe do të luajë për Kroacinë”, shkruhej asokohe nga Maksimiri. Megjithatë, Dinamo ngurroi të nënshkruante një kontratë profesionale me të, dhe kështu në skenë hyri Andy Bara, i cili e bindi familjen që t’i bashkohej projektit të Kustošijës.
Në qershor të vitit 2023, Klapija nënshkroi kontratë me klubin e Barës dhe menjëherë filloi stërvitjet me ekipin e parë. Vetëm gjashtë muaj më vonë, në janar 2024, ai realizoi kalimin e madh në RB Leipzig.
Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare, ai ka bërë disa ndryshime. Pasi luajti për Kroacinë U17 nën drejtimin e Robert Jarnit, Klapija më vonë vendosi të rikthehej te SHBA-të, duke debutuar për ekipin U18 ku shënoi në fitoren 3-2 ndaj Japonisë.
Tani, sipas raporteve më të fundit, talenti nga Nju Jorku ka marrë vendimin përfundimtar: do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Ky është një përforcim i madh për “Dardanët”, të cilët po vazhdojnë të tërheqin talente të rinj që po shkëlqejnë në akademitë më të mëdha evropiane.