Lionel Messi ka dhënë një intervistë emocionale për gazetën spanjolle Diario Sport, ku flet për ndarjen e dhimbshme nga Barcelona, eksperiencën e vështirë në Paris, rikthimin e qetësisë në Miami dhe dëshirën për t’u kthyer në qytetin që e formoi si njeri e lojtar.
(Intervistë për Diario Sport, përkthim dhe përshtatje në shqip)
“Dashuria nga Barcelona?
“Gjithçka që më vjen nga Barcelona, nga njerëzit, nga ajo periudhë që përjetuam… më sjell gjithmonë ndjesi nostalgjie. Tani e shijoj më shumë se atëherë kur ndodhte. Atëherë isha i zhytur në rutina – ndeshje pas ndeshjeje – pa pasur kohë të kuptoja madhështinë e asaj që po jetonim.”
Largimi nga Barça dhe kujtimet
“Kam mbetur me një ndjesi të çuditshme për mënyrën si u largova. Kalova gjithë jetën time atje dhe nuk munda të largohem siç e kisha ëndërruar – me tifozët, me përshëndetje të denjë. Pandemia ndikoi shumë. Doja të luaja gjithë karrierën time në Evropë, në Barcelonë, dhe pastaj të vija këtu [në SHBA]… por gjithçka ndodhi ndryshe.”
E kaluara nuk harrohet
“Kanë kaluar 16 vite në ekipin e parë, 21 që kur mbërrita 12-vjeçar në Barcelonë. Është një jetë e tërë. Ka shumë njerëz që kanë tatuazhe me emrin apo imazhin tim – kjo më emocionon. Në futboll gjithmonë vijnë yje të rinj, por historia nuk harrohet kurrë.”
Momenti më i lumtur?
“Është e vështirë të zgjedh vetëm një. “Sextuple” me Guardiolën ishte diçka jashtëzakonisht e veçantë, ashtu edhe Championsi i fundit me Luis Enrique. Ka qenë shumë momente të bukura, shumë tituj, shumë emocione që më kanë formuar si njeri e lojtar.”
Përvoja në Paris: “Nuk ndihesha mirë me veten”
“Nuk mund të them që Parisi ishte ‘ferr’, por e vërteta është se nuk ndihesha mirë. Jo për lojën apo fushën – sepse futbolli është ajo që dua – por me përditshmërinë time, me vetveten. Ishte hera e parë që largoheshim nga Barcelona, çdo gjë ishte e re. E ndjeja që nuk isha unë.”
Paqe në Miami, sfida e re në MLS
“Tani në Miami, jetojmë më të qetë, pa atë presionin e përhershëm për të fituar gjithçka. Edhe pse ambicia është aty, atmosfera është ndryshe. Kaloj më shumë kohë me familjen, me fëmijët, jam më i balancuar. Kur rezultatet më preknin humorin, tani ndodh më rrallë.”
Motivimi për të vazhduar
“Gjithmonë kam dashur të konkuroj. Nuk më pëlqen të humbas. Erdha në një klub të ri [Inter Miami], një sfidë që më tërhoqi: ta bëjmë një ekip konkurrues. Për sa kohë ndihem mirë fizikisht, do të vazhdoj. Kur të ndiej që nuk e përballoj dot më, do ta lë.”
Lamtumira e Busquets dhe Alba
“Largimi i Jordi Albas ishte shumë befasues. Nuk na kishte paralajmëruar. Busi e kishte menduar më gjatë. Ishim jo vetëm shokë në fushë, por edhe miq. E nisëm këtë aventurë bashkë në Miami – është e dhimbshme që po largohemi një nga një.”
Botërori i ardhshëm? “Do jem aty vetëm nëse jam gati”
“Botërori është diçka shumë e veçantë, sidomos pas fitores. Por nuk dua të jem barrë. Nëse nuk ndiej që mund të kontribuoj fizikisht, nuk do të shkoj. Do ta vendos nga dita në ditë. Por sigurisht, është emocionuese.”
Mesazh për Barcelonën
“Kam shumë dëshirë të kthehem. E gjithë familja ime flet për Barcelonën – fëmijët, bashkëshortja ime. Duam të jetojmë atje sërish. Kemi shtëpinë tonë, çdo gjë gati. Dua të shkoj në Camp Nou kur të rihapet. Do të jetë emocionuese të kthehem dhe të kujtoj gjithçka që kemi përjetuar.”