“Mos shko”, Tifozat Kuq e Zi bëjnë thirrje për bojkot ndaj ndeshjes me Letoninë!

TKZ
TKZ

Tifozat Kuq e Zi kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen e rëndësishme të Kombëtares së Shqipërisë ndaj Letonisë më 9 shtator, si vazhdimësi e protestave kundër organizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë në Tiranë dhe si për çudi, me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje. Është ndeshja e katërt radhazi ku FSHF na ka përjashtuar haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht. Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor!”, nis komunikata e TKZ-së.

“Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje. Ka të bëj me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë, në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses. Për këtë, TKZ është ndëshkuar dhe etiketuar. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin”.

“Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të mos shkoni ndaj Letonisë. Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje. Le t’i mbushë FSHF tribunat me modele që marrin bileta me një SMS”.

“Le të kënaqet me versionin “VIP” të Kombëtares, ku bukuria vlen më shumë se zëri, dhe marketingu ka më shumë peshë se përkushtimi. Kombëtarja është e popullit. Jo e sponsorëve. Jo e klientelës. Jo e zëdhënësve të heshtur”, ka shkruar TKZ.