Kalo te përmbajtja
Montag, 3 August 2026
Basketboll

Muhamedali Janjeva nënshkruan me Bashkimin – debutimi pritet ndaj Pejës?!

Pas largimit nga Sigal Prishtina, qendra kosovare Muhamedali Muki Janjeva ka gjetur menjëherë destinacionin e ri në elitën e basketbollit kosovar. Ai ka nënshkruar me KB Bashkimi dhe është gati të nisë një kapitull të ri me skuadrën prizrenase.

muhamedali janjeva

 “ArenaBasket” ka njoftuar gjatë ditës se Janjeva është stërvitur me ekipin e Bashkimit të cilët pastaj edhe e kanë zyrtarizuar basketbollistin. „Klubi po bën përpjekje që ai të jetë i përfshirë edhe në përballjen ndërkombëtare të së mërkurës ndaj Reggiana, por debutimi zyrtar në Superligë pritet të ndodhë në ndeshjen ndaj Pejës“, thuhet nga portali në fjalë, ndërsa Kërlaçki ka mësuar se në „luftë“ per Janjevën ishte edhe vet klubi i Pejës.

Transferimi i tij është realizuar jashtë afatit kalimtar, falë statusit të tij si lojtar i lirë – një procedurë e lejuar nga rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Largimi nga Prishtina, borxhet si arsye kryesore

Muki Janjeva e zyrtarizoi largimin nga Prishtina pak ditë më parë, duke shprehur keqardhje për mënyrën se si përfundoi bashkëpunimi me klubin kryeqytetas. Sipas “ArenaBasket”, arsyeja kryesore e ndarjes ishin borxhet financiare që klubi i kishte ndaj lojtarit.

Gjithashtu, në media janë përmendur edhe versione të tjera që lidhen me mospërputhje brenda ekipit dhe mungesën e vlerësimit nga ana e drejtuesve, por Janjeva vetë ka mbajtur një qëndrim profesional dhe nuk ka hyrë në detaje.

Nëse situata në klubin kryeqytetas nuk ndryshon, priten edhe largime të tjera në vazhdim. Largimi i Janjevës shihet si një humbje e madhe për Prishtinën, ndërsa për Bashkimin është një përforcim i rëndësishëm në prag të një pjese vendimtare të sezonit.